Leksione përgjegjshmërie nga Kosova, plan për sigurinë shëndetësore të sportistëve: Teste për të gjithë futbollistët
Kosova është shumë herë në pararojë të veprimeve si duhet të sillet shteti në raport me sportin apo me sportistët. Së fundmi, ka qenë Federata e Futbollit të Kosovës që ka bërë njoftimin se për të gjithë lojtarët dhe punonjësit e klubeve të futbollit do të ketë teste të siguruara nga shteti, me kërkesë të institucionit futbollistik, para se futbolli të rinisë më 7 qershor.
Teksa në Shqipëri, numri i testimeve mbahet shumë i ulët në popullatë, në Kosovë krahas testeve të popullatës, është vendosur që i gjithë komuniteti i futbollit, para se të rikthehet për të luajtur, të testohet paraprakisht.
Ja njoftimi i FFK-së:
“Federata e Futbollit e Kosovës njofton klubet, futbollistët dhe opinionin e gjerë që është në koordinim të plotë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe shumë shpejt do të fillojë testimi i të gjithë futbollistëve dhe stafeve të klubeve të Superligës për ‘COVID-19’. Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe drejtori i IKSHPK-së, prof. dr. Naser Ramadani, me kërkesë të FFK-së, i kanë ndërmarrë të gjitha masat për të siguruar testet e nevojshme për futbollistët dhe stafin e klubeve dhe tashmë janë krijuar edhe ekipet mjekësore të cilat do t’i kryejnë testimet te futbollistët në çdo klub.
Andaj, FFK kërkon nga futbollistët që të jenë të qetë dhe të vazhdojnë punën pa panik me udhëzimet e publikuara nga IKSHPK, me shpresë dhe besim se i gjithë procesi i testimit do të kalojë mirë dhe asnjë prej futbollistëve nuk do të rezultojë pozitiv në ‘COVID-19’. Me këtë rast kërkojmë nga të gjithë ata të cilët po reagojnë pa sens dhe pa dijeni, që të kenë kujdes për pjesën e tyre të përgjegjësisë dhe të zbatojnë në përpikëri udhëzuesin dhe protokollin higjieno-sanitar për stërvitje të dërguar nga FFK dhe t’u krijojnë sa më shumë lehtësira dhe siguri futbollistëve në këtë periudhë.
FFK falënderon edhe një herë ministrin Vitia dhe IKSHPK-në për gatishmërinë dhe profesionalizmin e treguar në luftimin e pandemisë ‘COVID19’ si dhe për mirëkuptimin e tyre për rifillimin e aktiviteteve të futbollit. Urojmë që edhe këtë sprovë ta kalojmë me sukses. Shëndet e punë të mbarë për të gjithë futbollistët!”, ka njoftuar Federata e Futbollit të Kosovës në faqen e saj zyrtare.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"