Legjenda Xhambazi: Merkatoja e janarit, shpëtimtarja e… Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2019 | 21:26

Legjenda Xhambazi: Merkatoja e janarit, shpëtimtarja e… Skënderbeut

Forma e dobët që po kalon Skënderbeu dhe rezultatet që nuk i shkojnë përshtat ekipit bardhekuq i kanë trazuar sportdashësit në juglindje. Nuk ka mbetur pas edhe një prej ikonave të sulmit korçar, Dhimitraq Xhambazi, i cili ka analizuar edhe situatën e vështirë në të cilën ndodhet ekipi prej disa javësh.

xhambazi

Për Xhambazin, mungesa e cilësisë dhe zgjidhjeve për Ilir Dajën është e dukshme dhe kjo e bën ekipin që të jetë në një ecuri jo të qëndrueshme në kampionat. Në kushte të tilla, ish-sulmuesi i Skënderbeut e cilëson merkaton e janarit si shpëtimin e skuadrës, që edhe pse nuk rrezikon mbijetesën me këtë grup që ka, paraqitjet e fundit lënë mjaft për të dëshiruar.

“Kryesisht në ndeshjen e fundit, por edhe deri në këtë pikë të sezonit ku jemi, mund të them se kam parë një ekip që nuk ka vijimësi dhe mbi të gjitha ka luhatje të theksuara, jo vetëm nga ndeshja në ndeshje, por mbi të gjitha edhe mes një ndeshjeje. Luhatje që bëhen të frikshme kur sheh edhe rezultatet me të cilat janë mbyllur pjesa më e madhe e ndeshjeve të humbura nga Skënderbeu.

Një gjë e tillë tregon mungesën e cilësisë në ekip, aq sa trajneri Ilir Daja e ka të vështirë për të ndryshuar lojën me lëvizjet gjatë një takimi. Plus kësaj, kjo ndikon edhe në mosimpenjimin maksimal të futbollistëve, që e quajnë të sigurt fanellën e titullarit. Në të tilla kushte, unë e shoh merkaton e janarit si të vetmen mundësi për të dalë nga kjo situatë. Gjithsesi, nuk mund të flasim më për një skuadër të re, pavarësisht ndryshimeve që ka pësuar nga sezoni i kaluar.

Një pjesë e mirë e lojtarëve janë po këtu dhe kanë pasur kohën e duhur për të treguar vlerat e tyre. Ekipi ka nevojë për afrime cilësore që të synojë vendet e sipërme të renditjes. Edhe me këtë organikë që ka, nuk është se mund të quhet një ekip që rrezikon rënien”, theksoi fillimisht Xhambazi.

Meta Xhambazi

KAMPIONATI- Më pas, ishsulmuesi u ndal edhe tek analizimi i kampionatit të sivjetshëm. Për Xhambazin mungojnë ekipet pretendente dhe si pasojë e kësaj është kjo renditje në këtë sezon. “Kampionati i këtij viti është cilësuar si i çuditshëm, por më shumë sesa i tillë, unë do të thosha se është një kampionat ku mungon diktati i ekipeve pretendente.

Shohim Partizanin që ka rimarrë kreun, por që nuk ka diktuar deri më tani. Një Kukës me shumë shpenzime që nuk arrin dot të jetë një ndër ekipet kryesuese dhe po ashtu edhe Tirana. Kjo është çështja se pse ky kampionat nuk ka rivalitetin e dikurshëm”, u shpreh Dhimitraq Xhambazi për “Panorama Sport”.

Ll. Saro – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"