Lautaro e Çalhanoglu, formula fituese në derbi/ Inzagi ia beson rezultatin dyshes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2023 | 0:00

Lautaro e Çalhanoglu, formula fituese në derbi/ Inzagi ia beson rezultatin dyshes

Në Milanon zikaltër vazhdojnë për gatitjet për derbin e së dielës, por ndërsa parashikimi i tij është i pamundur, Inzagi dhe të gjithë tifozët kanë piketuar tashmë dy lojtarët që mund të bëjnë diferencën. Bëhet fjalë për Lautaro Martinezin dhe Hakan Çalhanoglunë, me secilin prej tyre që e lidh një histori e veçantë me kuqezinjtë. “Demi” gjen një nga viktimat e preferuara, kurse turku ishskuadrën e tij ndaj së cilës është gjithmonë i pari që kërkon hakmarrje.

LAUTARO-CALA

LAUTARO – Sulmuesi është në formë optimale dhe për ta motivuar edhe më shumë do të shërbejnë shiriti i kapitenit dhe derbi. Në mungesë të Handanoviçit dhe Brozoviçit dhe pas “ndëshkimit” të Shkriniarit, argjentinasi do të jetë përsëri kapiteni i Interit të dielën, kur përballë do të ketë një nga viktimat e tij të preferuara, Milanin. Gjashtë gola të shënuar ndaj kuqezinjve në të gjitha kompeticionet, aq sa mësuesi i tij Milito, e ka renditur “Djallin” të dytin në listën e Lautaros që më shumë i ka shënuar vetëm Kaljarit(tetë).

Një sezon më parë ama kur në portën kuqezi ishte Tatarushanu, i njëjti që do të tentojë ta ndalë edhe në fundjavë, “Demi” gaboi nga pika e bardhë duke mos i prishur ekuilibrat e barazimit, me dy pikët e munguara që në fund rezultuan vendimtare për titullin. Këtë herë 25- vjeçari do të kërkojë të jetë i pagabueshëm, me synimin për të mbrojtur vendin e dytë ndaj Milanit, ndërkohë që është në ndjekje të golit të tij të shtatë në derbi.

Para tij golashënuesit më të mirë zikaltër të derbit janë emra si Xhuzepe Meaca (12), Stefano Nejers (11), Benito Lorenci (8), Roberto Boninsenja, Alessndro Altobeli dhe Enriko Kandiani (7) dhe në rast të një tjetër goli, argjentinasi do të jetë golashënuesi i tretë më i mirë joitalian i Interit në derbi.

ÇALHANOGLU – Hakani më shumë se për golat, i frymëzon zikaltrit për atë që transmeton, më saktë për ndjenjën që ngjall në skuadrën e tij kundër Milanit. Transferimi me parametër zero i tij në krahun tjetër të qytetit nuk u harrua nga kuqezinjtë, nga tifozët dhe vetë lojtarët.

Tifozët u siguruan ta vërshëllenin në të gjitha përballjet e një sezoni më parë dhe atij aktual, ashtu si ish-shokët e tij e shënjestruan gjatë festimeve për titull në maj, reagime këto që nuk janë kapërdirë nga turku. “Ishte e rëndë t’i shikoja ato festime, por unë besoj te karma dhe sot e hëngrëm Milanin të gjallë”, shprehej mesfushori pas finales së Superkupës dhe tek Interi shpresojnë që karma e turkut të mos ketë përfunduar ende.

Përgatiti: NISLI GJINI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"