Laska: Shpërblim për të rënë nga kategoria? Burra të mirë janë ata që të japin lekë pasi mbijeton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2017 | 11:00

Laska: Shpërblim për të rënë nga kategoria? Burra të mirë janë ata që të japin lekë pasi mbijeton

Kur pritet të luhet Kategoria Superiore dhe dy prej skuadrave historike të saj si Tirana dhe Vllaznia rrezikojnë mbijetesën, skenarët për shpëtimin e tyre janë aq realë, por ndonjëherë edhe të pamundur. Ditët e fundit po flitet gjithmonë e më shumë në lidhje me një premio që kanë vendosur kryeqytetasit dhe shkodranët në favor të Teutës dhe Korabit, e cila shkon në rreth 200 mijë euro.

Dibranët luajnë ndeshjen e radhës ndaj Korabit në kryeqytet. Një gjë e tillë nuk është e paligjshme dhe ata që preken nga kjo janë kurbinasit.

Pashk Laska Laci

“Nuk jam fare në dijeni dhe as nuk më intereson, pasi shoh vetëm punët e mia. Ne e kemi në këmbët tona gjithçka dhe nuk më interesojnë aspak fjalët e të tjerëve”, kanë qenë fjalët e presidentit të Laçit, Pashk Laska, i cili, edhe pse nuk i ka shumë me qejf deklaratat në media, për “Panorama Sport” thekson se skuadra e tij do të hyjë në fushë ndaj Teutës me objektivin e vetëm për të marrë fitoren dhe siguruar mbijetesën.

“Objektivi ynë në ndeshjen me Teutën është vetëm fitorja dhe nuk më interesojnë fare llafet që thuhen lart e poshtë dhe s’i vendos fare në listë. Po të jemi të zotë të fitojmë, le ta arrijmë. Do bëjmë maksimumin në fushë, ky është interesimi i vetëm që kemi”, ka vazhduar Laska.

PËRGËNJESHTRIMI

Por, përveç premios për kundërshtarët, ditët e fundit ka pasur zëra për një tjetër shpërblim, në favor të vet presidentit Laska. Gjithsesi, ky i fundit e përgënjeshtron me neveri një gjë të tillë.

“Mua apo klubit të Laçit? Unë jam president klubi. Nëse unë do hedh poshtë klubin e Laçit dhe qytetin e Laçit, do jem nga ata ordinerët, pra do të bëhem palë e atyre ordinerëve të tjerë. Nëse klubi i Laçit shitet dhe unë jam palë e atyre, unë i bie të jem ordineri i parë dhe të tjerët vazhdojnë pas meje.

Ne do të bëjmë maksimumin dhe nëse është e mundur do të mbijetojmë, pasi futbolli nuk është me zor. Ne do të bëjmë maksimumin”, vazhdon Laska, që, pasi e falënderojmë për prononcimin, shton: “Thojuni faleminderit edhe atyre që duan të më japin lekë mua. Burra të mirë janë ata që të japin lekë pasi të qëndrojë në Superiore. Ne shohim vetëm interesat e klubit tonë, të tjerët nuk më interesojnë fare”, mbylli presidenti kurbinas.

ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"