Largimi nga Kukësi, Zeqiri: E zgjidha me konsensus

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2017 | 15:05

Largimi nga Kukësi, Zeqiri: E zgjidha me konsensus

Hair Zeqiri u rikthye me bujë te Kukësi në verën e këtij viti, por nuk kaluan as pesë muaj dhe mesfushori u largua nga kampionët e Shqipërisë. Një dëmtim e la disa javë jashtë fushave, ndërsa minutat e pakta që luajti në kampionat sollën edhe në nervozizmin e presidentit Gjici, por gjithashtu të trajnerit Mlladen Milinkoviç.

zeqiri kukesi

Ky i fundit e aktivizoi si titullar në barazimin 2-2 në Kamzë, por menjëherë pas asaj ndeshjeje, e nxori jashtë planeve. Gjithsesi, në reagimin zyrtar të klubit, sa i përket çështjes “Zeqiri”, ndër të tjera citohet:

“Pak ditë më parë ai ka deklaruar vetë në seancën stërvitore para stafit dhe shokëve të ekipit se nuk do të jetë më pjesë e Kukësit. Kjo çështje është diskutuar dhe duke vlerësuar kontributin që ka dhënë Zeqiri, e falënderojmë, por nga ana tjetër klubi është i gatshëm që ta lërë të lirë lojtarin në fjalë dhe të zgjidhë kontratën”.

Ndërkohë që, pas ardhjes së fantazistit Albi Dosti, i cili do të luajë me Kukësin pas muajit janar, në klub nisën t’i shikonin ndryshe gjërat. Me prishjen e kontratës së Zeqirit, drejtuesit kursejnë jo pak shpenzimet, pasi vlonjati kishte një pagë të lartë dhe për më tepër, zëvendë- suesi i tij, Dosti, nuk do të paguhet me të njëjtën rrogë.

DEKLARATA – I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, Zeqiri nuk bëri polemika pas largimit nga Kukësi. “Po, është e vërtetë që nuk do të jem pjesë e Kukësit. Marrëveshja me klubin është zgjidhur në mënyrë konsensuale. Nuk ka diçka tjetër që mund të komentoj, kjo është e gjitha. Kam arritur një dakordësi dhe pavarësisht rrethanave, marrëdhëniet e mia me klubin mbeten të mira”, sqaroi Zeqiri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"