Lajme jo të mira për Tiranën, Andi Lila drejt operimit. Ja kur pritet të kthehet mbrojtësi bardheblu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2019 | 20:27

Lajme jo të mira për Tiranën, Andi Lila drejt operimit. Ja kur pritet të kthehet mbrojtësi bardheblu

Andi Lila do t’i nënshtrohet një operacioni tjetër që do ta kthejë në fushën e lojës në 2020-ën. Janë burime zyrtare pranë klubit Tirana që bënë dje me dije një fakt të tillë. Mësohet se futbollisti i Kombëtares dhe Tiranës është vizituar te një mjek i huaj, i cili pasi i ka bërë një kurë me gjilpëra, i ka këshilluar lojtarit të bëjë një tjetër operacion në menisk.

andi lilaa tiranaaa

Nga sa është marrë vesh, lojtari do të operohet sërish në këmbë për të shpëtuar një herë e mirë nga dëmtimi. Mjeku i ka garantuar lojtarit që do të kthehet në fushën e lojës shumë shpejt, duke filluar nga janari në stërvitje dhe me dëshirën e Andi Lilës, që të jetë në lojë në shkurt. Kujtojmë që në fund të prillit Lila u operua në menisk dhe pritej që të ishte në fushën e lojës këto ditë.

Gjithsesi, edhe pas firmosjes së kontratës me Tiranën, lojtari asnjëherë nuk e bëri të qartë se kur mund të kthehej në fushën e lojës. Kthimi i Lilës në stërvitje parashikohet në janar, ndërsa në fushë mund ta shohim në muajin shkurt.

andi lila

Përfundimisht, Lila nuk do të luajë këtë vit, por vetëm fillimin e vitit tjetër. Kavajasi iu bashkua skuadrës së Tiranës dhe para ndeshjeve të Kombëtares në shtator.

Futbollisti i Kombëtares u prezantua para sfidës ndaj Teutës, në praninë e tifozëve të shumtë bardheblu. Andi Lila ka luajtur në të kaluarën me skuadrën kryeqytetase, madje ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit. 33-vjeçari është një nga futbollistët që ka festuar titullin e fundit me 24 herë kampionët e Shqipërisë, në sezonin 2008-2009.

Lojtari i Kombëtares ka luajtur tri sezone me bardheblutë nga 2009-ta deri në 2011-ën. Ai ka qenë një nga futbollistët kryesorë të bardhebluve, duke qenë në fushë më shumë se 78 takime, madje duke shënuar 11 gola. Lojtari ka 70 takime me fanellën e Shqipërisë dhe 100 ndeshje me Tiranën, Besën, Janinën, Iraklisin dhe Parmën në karrierën e tij sportive.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"