Laçi, “luftë” me kohën për një qendërmbrojtës, të shtunën testi miqësor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2018 | 14:52

Laçi, “luftë” me kohën për një qendërmbrojtës, të shtunën testi miqësor

Laçi ka filluar që të marrë formë. Me huazimin e Hoxhallarit dhe Grecës nga Tirana, si edhe me sigurimin e shërbimeve të Nikola Eller dhe të Vice Kendesh, skuadra është drejt kompletimit për Ligën e Europës. Synohet kalimi i turit të parë, ndaj edhe drejtuesit po punojnë intensivisht për t’i plotësuar kërkesat trajnerit. Megjithatë, një punë realisht të madhe po e bën vetë Bensik Prenga, i cili po shfrytëzon njohjet në Kroaci për të gjetur të duhurit. Edhe pse kurbinasit e dinë që ndaj Anorthosisit nuk do të jetë e lehtë, po projektojnë surprizën.

laci

Dhe për të pretenduar, veç një sulmi që jep garanci golash, duhet edhe një mbrojtje e mirë. Skuadra momentalisht çalon në qendër, ndaj është duke nxituar për të gjetur një lojtar që u përshtatet skemave të tyre. Edhe këtë herë kërkimet janë zhvendosur në kampionatin kroat, ku janë piketuar disa emra. Sikundër konfirmojnë burime për “Panorama Sport”, bëhet fjalë për lojtarë që, edhe pse kanë cilësi, janë në kërkim të një ekipi që mund t’iu japë më shumë hapësira.

prenga

Konfirmohet axhenda edhe për miqësoren e dytë. Ditën e shtunë bardhezinjtë do të presin në shtëpi Kastriotin dhe takimi do të startojë në orën 17:00. Ky duel do t’i shërbejë stafit teknik për të parë lojtarët në fushën e lojës, dhe pse jo për të krijuar një ide për formacionin tip. Për tifozët, me shumë interes do të shihet paraqitja e dy lojtarëve të huaj që janë afruar, pasi vlerat e Grecës dhe Hoxhallarit tashmë njihen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"