Laçi bindi në start, Alla dhe Shkurtaj janë si… bonus

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2022 | 20:13

Laçi bindi në start, Alla dhe Shkurtaj janë si… bonus

Majkëll Babatunde, Isi Manellari, Luka Cucin dhe Ariel Borisjuk ishin lojtarët që debutuan me fanellën bardhezi në ndeshjen e javës së parë ndaj Teutës. Dy të parët luajtën si titullarë, teksa risia ishte mesfushori nga Pogradeci, i cili qëndroi për 90 minuta në fushë, në një kohë që në ndeshjet e Ligës së Konferencës nuk kishte mundur të debutonte.

ALLA

Trajneri Dejan Vukiçeviç nuk iu kënaq vetëm fitores së parë, por mbi të gjitha edhe përshtatjes së shpejtë të afrimeve të verës me grupin e lojtarëve që ka mbetur nga sezoni i kaluar. Portieri Dajsinani, mbrojtësit Roganoviç, Velkoski, Turkaj dhe Ziko, mesfushorët Ujka, Spahiu e Mazrekaj, si dhe sulmuesi Adeleke ishin lojtarët në formacion që kishin mbetur nga sezoni i fundit. Por, me fanellën bardhezi nuk kanë debutuar ende futbollistë të rëndësishëm, të cilët janë afruar së fundmi. Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin Albi Alla dhe sulmuesin Vasil Shkurtaj.

I pari ishte pjesë e stolit ndaj Teutës, por i duhet ende stërvitje për të kapur ritmin e grupit. Ndërsa Shkurtaj është bashkuar me ekipin vetëm javën e fundit dhe sigurisht, përtej stërvitjes individuale që ka bërë, i duhet kohë për t’u përshtatur. Të dy lojtarët kanë dhënë prova të forta në kampionatin shqiptar, duke fituar edhe trofetë më të rëndësishëm. Kësisoj, në Laçin e këtij sezoni pritet të kenë një rol parësor dhe me kurbinasit që kanë humbur disa lojtarë kryesorë, Vukiçeviç i ka si bonus afrimet e Allës dhe Shkurtajt, teksa do t’i përdorë në vazhdimësi.

Ndeshja e javës së dytë e vendos Laçin në një provë delikate, pasi do të luajë të hënën në transfertë me Partizanin. Kjo ndeshje është parashikuar të zhvillohet në stadiumin e Elbasanit. Starti i kampionatit me fitore ka rikthyer harmoninë te kurbinasit, prandaj dhe trajneri malazez tashmë ka luksin të përgatisë në mënyrën më të mirë ndeshjen e radhës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"