Laçi beson tek Europa, pret “dhurata” nga Partizani dhe Bylisi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2023 | 10:57

Laçi beson tek Europa, pret “dhurata” nga Partizani dhe Bylisi

 Laçi luan sot shansin e fundit për të kapur vendin e katërt, por nuk është asgjë në dorën e kurbinasve, sepse duhet të ketë një kombinim rezultatesh të rivalëve, që në fund të përfitojë skuadra e Stavri Nicës.

Laci

Kalendari u ka rezervuar bardhezinjve sot në orën 16:00 një përballje ndaj Kastriotit, që ka rënë matematikisht nga Superiorja. Kjo ia lehtëson disi gjërat ekipit për të shkuar te një fitore, por nga ana tjetër, te Laçi do të jenë me sy dhe veshë se çfarë do të ndodhë me rezultatet e rivalëve, Teuta dhe Vllaznia, që luajnë respektivisht ndaj Partizanit në kryeqytet dhe Bylisit në Ballsh.

Pas 35 javësh kampionat, Laçi pozicionohet në vendin e gjashtë me 45 pikë, ndërsa Vllaznia e pesta ka 47 pikë dhe Teuta e katërta me 48 pikë. Duke llogaritur triumfin e sotëm ndaj krutanëve, në Laç do të kapnin Europën me këtë kombinim rezultatesh: humbet Teuta ndaj Partizanit dhe gjithashtu humbet Vllaznia kundër Bylisit. Me këtë variant do të kishim një renditje të tillë: Laçi 48 pikë, Teuta 48 pikë dhe Vllaznia 47 pikë. Kurbinasit avantazhohen për shkak të bilancit më të mirë në ndeshjet direkte ndaj durrsakëve dhe kësisoj do të ishin ata të katërtit.

Situata bëhet e favorshme për bardhezinjtë edhe nëse të tria skuadrat e mbyllin në fund me nga 48 pikë secila, që mund të ndodhë kështu nëse sot fiton Laçi, barazon Vllaznia dhe humbet Teuta. Këtu do të futeshin në lojë pikët e grumbulluara në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse, që janë tre. Laçi ka marrë 17 pikë në përballjet ndaj Teutës dhe Vllaznisë, duke qenë e avantazhuar.

Në përballjet treshe Vllaznia ka marrë 13 pikë, ndërsa Teuta vetëm dy pikë, që janë barazime ndaj shkodranëve, pasi kundër Laçit durrsakët i kanë humbje të katërta ndeshjet. Varianti që djeg kurbinasit është rezultati pozitiv që mund të merrte Teuta ndaj Partizanit, qoftë edhe barazim, pasi në fund do ta mbyllte përpara Laçit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"