Laçi barazon në Krujë, shfryn trajneri Nica: Superiorja amatore, ja pse iku Vucaj (Video)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2017 | 9:41

Laçi barazon në Krujë, shfryn trajneri Nica: Superiorja amatore, ja pse iku Vucaj (Video)

Stavri Nica “shfryn” pas ndeshjes. Trajneri i Laçit ka shfaqur pakënaqësi për formën e lojtarëve dhe deklaron se Vucaj iku për motive disiplinore, por pa dhënë detaje të mëtejshme. “Rëndësi ka që këto ndeshje u shërbejnë stërvitjeve, u bënë gjashtë javë që i kemi nisur përgatitjet.

nica

Kemi probleme fizike, pasi të hysh në një fazë duhet të jesh në gjendje të nisësh gradualisht dhe ta rrisësh. Te ne çuditërisht ndodh ndryshe. Lojtarët vijnë vonë dhe pas pushimeve absolute dhe kjo tregon që me mentalitet janë amatorë. Këtë problem e kanë edhe klubet e tjera.

Edhe te lojtarët e rinj shoh që kanë probleme, të mbartura nga moshat. Shpresoj te Bushi, që ka dhuntitë e veta, por ka vend për ndreqje. Të rinjtë janë me pikatore, ka qytete që nuk kanë fare, ndaj edhe hidhen ‘sytë’ nga menaxherët për të sjellë lojtarë të huaj. Janë tre lojtarë për të ardhur.

Presim dy lojtarë nga Brazili, por ka një sërë pengesash, si biletat apo vizat. Por, ne po i presim. E përgjithshmja është dobët, ndaj i thashë gjithë këto, që Superiorja hyn te ligat amatore, sepse kështu janë në mendime.

Shoh që edhe presidenti është shumë i zhgënjyer, gjithashtu edhe unë. Disa lojtarë më figurojnë diletantë në testet që kam bërë. Këtu te ne nuk para e thonë. Largimi i Vucajt? U largua për arsye disiplinore”, tha Nica.

NDESHJA – Kastrioti ndal Laçin. Miqësorja e zhvilluar dje në stadiumin e Krujës është mbyllur në “X”. Edhe pse vendësit kaluan të parët në avantazh me anë të Malindit, miqtë barazuan me atë të Gjonit. Pjesa e parë nis e qetë. Krutanët vetëm mbrohen, ndërsa sulmet janë me pikatore.

Miqesorja

E megjithatë, në të 29-ën shfrytëzojnë më së miri një goditje dënimi, e cila shndërrohet në gol nga Malindi, duke kaluar në avantazh krutanët. Loja ka ritëm dhe raste, por fraksioni i parë mbyllet me rezultatin 1-0. Me nisjen e së dytës, të dy trajnerët kryejnë zëvendësime, duke u dhënë mundësi lojtarëve të rinj dhe atyre që janë në provë.

Kastrioti Laci

Laçianët rrezikojnë sërish portën me Ejoh dhe Xhixhën, por goli do të vinte vetëm në të 65-ën, ku pas një harkimi në zonë, Gjoni me kokë mposht portierin Kuka, duke baraspeshuar sfidën. Krutanët kundërpërgjigjen me Kabirun, i cili kishte tre raste të pastra shënimi, por përpara porte ishte i pasaktë.


Paraqitja e mirë e futbollistit Husein ka bërë që ky i fundit të firmosë zyrtarisht për një vit me Kastriotin. Në fund të ndeshjes, trajneri Nikaj u shpreh: “Skuadra ka ardhur në rritje, në përgjithësi jam i kënaqur. Kemi ende shumë punë për të bërë, sidomos në finalizimin e aksioneve”.

Liridon Pasha

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"