Laçi 3 vjet pa fituar në Kukës, sot kërkon të paktën 1 gol

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2018 | 11:47

Laçi 3 vjet pa fituar në Kukës, sot kërkon të paktën 1 gol

Tri humbje në kampionat e bëjnë situatën e kurbinasve që të mos jetë aspak pozitive. Megjithatë, përballja e radhës ndaj Kukësit bën që te Laçi të kenë besim se do të arrijnë që të bëjnë ndeshje të madhe sot në Kukës. Kurbinasit shohin te Kupa rrugën më të shkurtër për të shkuar në Europë, por gjithashtu synojnë ta fitojnë për të tretën herë në 5 vitet e fundit këtë trofe. Lajmi më i mirë për Mezanin vjen nga porta.
laqi
Gentjan Selmani e ka kryer të plotë seancën stërvitore dhe ka mundësi që të rikthehet të luajë pas një muaji mungesë për shkak dëmtimi. Një lajm pozitiv për Laçin, që do të ketë në dispozicion një armë më shumë ndaj Kukësit në ndeshjen që do të përcaktojë se cila do të jetë skuadra finaliste. Ndërkohë që dyshja e sulmit do të përbëhet nga Uzuni dhe Rexhinaldo. E vetmja mungesë për kurbinasit është ajo e fantazistit brazilian, Eskerda.

E KALUARA – Përballjet mes Kukësit dhe Laçit janë të shumta dhe pritet që këtë herë, agresiviteti edhe lufta sportive të mos mungojnë në sfidën e dytë gjysmëfinale në Kupë. Kurbinasit nuk fitojnë ndaj Kukësit që nga shkurti i vitit 2015 dhe në këtë sezon 3 nga 4 ndeshjet e luajtura mes Kukësit dhe Laçit janë fituar nga skuadra blu, ndërkohë barazimi i fundit me gola në “Zeqir Ymeri” mes këtyre dy ekipeve është regjistruar në muajin prill të vitit 2014. Të besuarit e Mezanit do të tentojnë që të arrijmë finalen e Kupës së Shqipërisë, si shpëtim për këtë sezon, pasi do të mund të realizonin gjysmën e punës për një nga objektivat kryesorë të klubit: Kupat e Europës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"