Kupa e Shqipërisë, Studenti e fiton për herë të 11-të radhazi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2014 | 9:19

Kupa e Shqipërisë, Studenti e fiton për herë të 11-të radhazi

Studenti ekipSTUDENTI-VLLAZNIA 3-0
(25-21, 29-27, 25-22)
STUDENTI: Tukseferi, Rrashketa, Medenica, Nikolov, Myftari, J.Dashi, Troka, Gorenxa, Kono, Kajtazi, Kasa, Memia. Trajner: Y.Tomorri
VLLAZNIA: Miloti, Prela, N.Qafarena, Boskoviç, Kurc, Taflaj, Kola (L)/A.Qafarena, Çekini, Qerraxhia (L). Trajner: A.Kalaja
GJYQTARË: F.Mujo, N.Hyseni

Kupa e Shqipërisë në volejboll për meshkuj është “pronë” vetëm e Studentit. Janë pikërisht kryeqytetasit e trajnerit Ylli Tomori që rikonfirmohen fitues të këtij trofeu prej 2004- ës, duke hipotekuar në finalen e djeshme kundër Vllaznisë të 14-in në historinë e klubit dhe të 11-in radhazi. Veç historisë që po shkruan në volejbollin e meshkujve nga viti në vit, Studenti po bëhet makth veçanërisht për shkodranët në tri finalet e fundit, duke mos mundur t’i bëjnë ballë furisë kryeqytetase. Por dje djemtë e teknikut Kalaja u hapën shumë punë fituesve në fuqi të kupës. Shkodranët janë superiorë në setin e parë 6-4, 15-12, por guxojnë deri në pikën e 18-të, pasi atëherë kundërpërgjigjen të zotët e shtëpisë, që rikuperojnë 22-20 për ta mbyllur me fitore 25-21. Nën ekuilibër luhet edhe fillimi i setit të dytë 6-6, 12-11. Studenti nuk rrezikon dhe shkëputet 18-15. Vllaznia beson deri në fundin e setit, megjithëse nuk e shfrytëzoi siç duhet avantazhin e përkohshëm në pikët shtesë që favorizoi Studentin 29-27. Tashmë vendësit ndiejnë aromën e kupës. Nga kampi tjetër, grinta e shkodranëve reflektohet në fushë 5-5, edhe pse janë në disavantazh të dy seteve, jo shumë komod si rezultat. Këtë moment ka edhe një debat verbal mes Çekinit të Vllaznisë e Gorenxës të Studentit, por shuhet në moment. Kryesori Mujo është i vëmendshëm me gjestet e dy volejbollistëve dhe i ndëshkon me karton të verdhë. Shpërthimet e Medenicës e Trokës karikojnë Studentin, që e administron avantazhin 17-14, 20-18, por kuqeblutë rezistojnë sërish fort dhe ngushtojnë shifrat 22-21. Mbylljen më të bukur të mbrëmjes bëri dyshja titullare J.Dashi-Myftari me bllokun perfekt që legjitimoi edhe kurorëzimin. “Fair play”-i mes volejbollistëve dhe stafeve teknike ia la radhën ceremonisë së dorëzimit të kupave. Vllaznisë ia dorëzoi kupën e vendit të dytë anëtari i kryesisë së federatës, Erlind Pëllumbi, ndërsa nderin e vendit të parë e pati presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Adrian Doçi, që ia dorëzoi kapitenit ikonë, Elton Tukseferi. Prezent në pallatin e sportit ishte edhe shefi i klubit “Studenti”, Blendi Nallbani.

Tomori: Objektivi final, titulli kampion
Rekrutimet e reja rezultuan të “goditurat” nga trajneri i Studentit, Ylli Tomori. Studenti fitoi me meritë Kupën e Shqipërisë dhe meritë për këtë patjetër kanë edhe shërbimet e tyre, veç kontingjentit të edicionit të mëparshëm. Ndërsa një tjetër objektiv e finalizon me sukses në karrierën e tij, njëherësh të klubit mbrëmjen e djeshme në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, trajneri Tomori kërkon me çdo kusht rikonfirmimin për titullin kampion. “Përgjithësisht jam i kënaqur me lojën e skuadrës në Kupën e Shqipërisë dhe për këtë triumf përgëzime meritojnë edhe volejbollistët e merkatos së fundit. Ndërkohë ambicia jonë e radhës dhe më e rëndësishmja e sezonit është pa dyshim fitimi i titullit kampion dhe për këtë do të bëjmë gjithçka deri në fund”, – deklaroi pas ndeshjes “arkitekti” Tomori.
OLGERT SERANI

LIBRI I ARTË
1955 Partizani
1956 Dinamo
1957 Spartaku
1958 17 Nëntori
1960 Partizani
1961 Dinamo
1962 Dinamo
1963 Partizani
1964 17 Nëntori
1965 Dinamo
1966 Dajti
1967 Dinamo
1968 Dinamo
1969 Vllaznia
1970 Vllaznia
1971 Partizani
1972 Dinamo
1973 Vllaznia
1974 Partizani
1975 Dinamo
1976 Dinamo
1977 Partizani
1978 Dinamo
1979 Dinamo
1980 Dinamo
1981 Dinamo
1982 Partizani
1983 Dinamo
1984 Dinamo
1985 Vllaznia
1986 Dinamo
1987 17 Nëntori
1988 Vllaznia
1989 Vllaznia
1990 Dinamo
1991 17 Nëntori
1992 Tirana
1993 Partizani
1994 Partizani
1995 Studenti
1996 Tirana
1997 Studenti
1998 Erzeni
1999 Erzeni
2000 Teuta
2001 Studenti
2002 Studenti
2003 Dinamo
2004 Studenti
2005 Studenti
2006 Studenti
2007 Studenti
2008 Studenti
2009 Studenti
2010 Studenti
2011 Studenti
2012 Studenti
2013 Studenti
2014 STUDENTI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"