Kukësi në formë, vetëm fitorja vlen me shkodranët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 14, 2024 | 14:58

Kukësi në formë, vetëm fitorja vlen me shkodranët

Skuadra e Kukësit vijon përgatitjet intensive në kuadër të ndeshjes me Vllazninë, që luhet këtë të diel. Edhe pse kuksianët do të luajnë pa mbështetjen e tifozëve në shtëpinë e tyre, për shkak të dënimit që ka marrë skuadra nga Komisioni i Disiplinës për trazirat në përballjen me Erzenin, ata do të tentojnë të marrin maksimumin e mundshëm. Në situatën ku ndodhen, vetëm një tjetër trepikësh mund t’i mbajë në garë për qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar. Ka mbetur edhe një fazë e plotë nga ky kampionat për t’u luajtur dhe matematikisht ka ende shpresë.

Kukesi-Vllaznia

ENTUZIAZMI – Java që lamë pas ka rikthyer edhe njëherë entuziazmin në kampin verilindor. Brenda pak ditëve blutë sigluan dy fitore të rëndësishme. Ata mundën fillimisht Partizanin dhe shkuan në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, më pas mposhtën edhe Laçin në kampionat, duke mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë. Pikërisht këto dy fitore në harkun kohor të pak ditëve kanë bërë që në Kukës të jenë me një moral më të lartë për ndeshjet në vazhdim. Këtë optimizëm është përpjekur t’ua përcjellë lojtarëve edhe trajneri Bledar Devolli përgjatë seancave stërvitore të këtyre ditëve. Edhe pse këtë të diel mysafir në Kukës do të jetë ekipi i momentit, Vllaznia e vendit të dytë, në kampin verilindor duan të shfrytëzojnë në maksimum edhe momentin e mirë që po kalojnë. Gjithsesi, mbetet për t’u parë nëse do të kenë vazhdimësi në rezultate apo jo. Kukësit nuk i lejohet asnjë hap fals deri në fund.

SHQETËSIMET – Shqetësimi i vetëm për sa u përket lojtarëve është dëmtimi i mesfushorit Kleandro Lleshi, që la fushën i dëmtuar me Laçin. Shpresohet që dëmtimi i tij të mos jetë aq serioz sa t’i vërë në rrezik ndeshjen e kësaj fundjave. Gjithashtu, sulmuesi Atdhe Rashiti është duke vuajtur nga problemet me dëmtimet dhe nuk ka qenë i disponueshëm për skuadrën javët e fundit. E njëjta situatë paraqitet edhe me mesfushorin mauritanez, Abdou Mbarak, që më shumë ka munguar këtë sezon sesa ka luajtur. Për hir të së vërtetës, thuajse për asnjë ndeshje blutë nuk kanë qenë të plotë, duke ndikuar më pas edhe në rezultatet e tyre. Dy fitoret e fundit kanë rindezur shpresat dhe i kanë dhënë Kukësit një motiv për të qenë sa më i impenjuar edhe në fazën e katërt.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"