Kukësi luan fatet e sezonit, tri duele direkte me rivalët për mbijetesë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2024 | 16:35

Kukësi luan fatet e sezonit, tri duele direkte me rivalët për mbijetesë

Humbja e fundit ndaj Tiranës ka kapluar Kukësin tanimë të vetëm në vendin e fundit dhe e sheh veten si një nga skuadrat që janë më shumë në rrezik sa i përket mbijetesës. Çdo javë që kalon pa marrë pikë dhe fitore, është në dëm të bluve, të cilët duhet patjetër të ndërrojnë “marsh” që të jenë në garë për qëndrimin.

Kukesi stervitje

Aktualisht janë bërë plot 12 ndeshje pa marrë fitoren, nga këto në katër ndeshjet e fundit kanë pësuar vetëm humbje. Tashmë, nën drejtimit e Emiljano Çelës, në klub shpresojnë te kthesa në rezultate, pasi skuadra ka potencial, sepse lojërat e mira nuk i kanë munguar.

KALENDARI – Këto javë janë shumë të rëndësishme për Kukësin. Është kalendari ai që i vë përballë me rivalët direktë, ndaj të cilëve edhe një fitore vlen dyfish. Fillimisht, blutë do të udhëtojnë në Korçë përballë Skënderbeut vendës, kundërshtar ndaj të cilit kanë marrë pikët dhe fitoren e parë këtë sezon.

Njëkohësisht nuk njohin ende asnjë humbje ndaj tyre, pasi në ndeshjen në Kukës dolën barazim. Tani blutë shpresojnë të dalin sërish me një tjetër rezultat pozitiv. Për të vijuar më pas me një tjetër ndeshje direkte, sërish në transfertë, kësaj here në Durrës.

Bëhet fjalë për dy ekipet që mbyllin klasifikimin dhe vetëm fitorja u bën punë. Në dy ndeshjet e kaluara skuadrat janë ndarë në barazime pa gola, por duket se barazimi kësaj here nuk i shërben asnjërës.

Sakaq, kalendari vazhdon t’i vërë përballë me një tjetër kundërshtar direkt, siç është Erzeni. Bilanci me këtë rival është pozitiv, pasi një herë e ka mundur dhe një herë është ndalur në barazim. Me pak fjalë, përballë Kukësi ka rivalët direktë, me të cilët bilancet e këtij sezoni i ka pozitive, sepse nuk është mundur asnjëherë.

LUHET SEZONI – Mund të thuhet se Kukësi luan edhe sezonin në këto tre javë. Ndonëse ka ende garë dhe kampionati është i gjatë, në rast se blutë nuk bëjnë kthesën as në këto ndeshje, edhe misioni i mbijetesës bëhet i vështirë. Rivalët t’i shkëputen më tej në renditje dhe bëhet gjithçka më e vështirë për t’i arritur. Gjithsesi, në Kukës besojnë se ka ardhur koha që të bëhet kthesa dhe ekipi të nisë serinë e fitoreve në kampionat.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"