Kukësi i pafat, e eliminojnë shtyllat dhe penalltia e humbur e Pejiç (Video)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 19, 2017 | 20:50

Kukësi i pafat, e eliminojnë shtyllat dhe penalltia e humbur e Pejiç (Video)

Fati braktis Kukësin në momentin vendimtar. Kur dukej se kampionët e Shqipërisë po kalonin në turin e tretë të Ligës së Europës duke zgjatur qëndrimin e tyre në arenën ndërkombëtare, fati është treguar i pamëshirshëm me ta.

kukesi sherif

Skuadra e Ernest Gjokës është eliminuar sot nga Liga e Kampioneve falë rregullit të golit jashtë fushe, ndonëse fitoi me shifrat 2-1 ndaj Sherif Tiraspol. Dy shtylla të goditura e një penallti e humbur në 10 minutat e fundit të lojës bënë diferencën gjatë një ndeshje të dominuar për pjesën më të madhe të saj nga ekipi kampion i Shqipërisë.

Pasi mbylli pjesën e parë në avantazhin 2-0, Kukësi nuk arriti të ruante këtë rezultat që i garantonte kualifikimin, duke pësuar një gol të evitueshëm i cili e nxori për shumë minuta skuadrën jashtë shinave të lojës së zakonshme të saj.

Kartoni i kuq i De Noijer i dha përsëri shpresë skuadrës shqiptare që sulmoi me furi në minuat e fundit, por dy herë shtyllat, e sidomos penalltia e humbur nga Pejiç (bashkë me dy raste të tjera të shpërdoruara nga kroati), bënë që ekipi i Gjokës të mbyllte para kohe aventurën në debutimin në Ligën e  Kampioneve.

kukesi sherif

MINUTË PAS MINUTE

90’+4’ Mbyllet ndeshja me fitoren e Kukësit, por nuk mjafton për t’u kualifikuar. Kampionët jashtë Europës.

90’+4’ Shtylla nxjerr Kukësin jashtë Europës. Një harkim nga e djathta i Kariokës, gjen Serran në zonë. Mbrojtësi gjuan me portierin e mposhtur, por godet shtyllën pingule.

90’+1’ Pejiç provon edhe me armën e tij më të fortë, gjuajtjet me kokë, por nuk gjen kuadratin, me sferën që përfundon jashtë, ngjitur me shtyllën.

90’ Vetëm 3 minuta shtesë.

89’ Pejiç humb një tjetër rast të jashtëzakonshëm para portës. Zeqiri e nxjerr të vetëm para Mikuliç por sulmuesi nuk arrin ta kalojë me gjuajtjen e tij, i ndalur saktësisht nga gardiani i moldavëve.

85’ Fati është përsëri kundër Kukësit. Këtë radhë gjuajtja e Eminit ndalet nga traversa.

83’ Sushiç përfiton nga hutimi i Kukësit dhe gjuan me një diagonale nga e djathta. Topi përfundon jashtë ngjitur me shtyllën.

82’ Gabim i pabesueshëm i Pejiç. Kukësi fiton penallti pas prekjes së Posmac të topit me dorë në zonë. Kroati i Kukësit shfaqet te pika e bardhë, por goditja e tij pritet nga Mikuliç.

77’ Mundësi e mirë e Kukësit për të marrë kontrollin e lojës. De Noijer ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë pas një faulli në mesfushë ndaj Pejiç, duke lënë moldavët me 10 lojtarë në fushë.

75’ Zgjohet Kukësi, që kërkon me forcë të shënojë një gol për të rimarrë kontrollin e kualifikimit.

73’ Gabon Serran në largimin e topit duke ia dorëzuar kundërshtarëve pranë zonës. Vetëm ndërhyrja e Koliçit shpëton Kukësin.

72’ Naser provon me një predhë nga distanca që përfundon për pak jashtë kuadratit të portës moldave. Ndërkohë, Gjoka hedh Zeqirin në fushë, në vend të Musollit që ka probleme fizike.

71’ Kombinimi i radhës Badibanga-Brezovec me këtë të fundit që gjuan drejt portës, por gjen të gatshëm Koliçin që nxjerr topin në fundore.

69’ Kukësi duket plotësisht i demoralizuar pas golit të pësuar dhe i ka lëshuar kontrollin e lojës kundërshtarit. Deri tani, Naser dhe Karioka janë shumë larg paraqitjes së Kale dhe Gurit në pjesën e parë.

62’ Gjoka ndryshon përsëri. Në lojë Karioka në vend të Gurit.

59’ Koliçi mban në lojë Kukësin me një pritje vendimtare ndaj Badibanga, i cili gjuajti nga një pozicion ballor. Grushtimi i portierit devijion topin mbi traversë.

56’ Vjen goditja e papritur për Kukësin. Pas një harkimi nga e djathta, Bajala devijon topin me kokë në portën e Koliçit. 2-1 dhe tani fati i kualifikimit është përsëri në duart e Sherif. 2-1

52’ Skemë në goditje dënimi e Sherif. Brezovec përdor skemë dhe nxjerr Leite në të majtën, por gjuajtja e tij bllokohet nga Koliçi i cili nis një kundërsulm të shpejtë të kuksianëve. Emini hyn në zonë por gjuan shumë lehtë në vend që të pasonte për Pejiç i cili ishte i lirë në pozicion të favorshëm.

49’ Harkim i gjatë në zonën moldave nga e majta e sulmit të Kukësit, Mikuliç grushton topin në këndore para se Guri të gjuante me kokë.

46’ Pjesa e dytë fillon me zëvendësim në radhët e Kukësit, në fushën e lojës futet Naser, i cili zë vendin e Kale.

45’+1’ Mbyllet pjesa e parë me avantazhin e dyfishtë të Kukësit që ndjen aromën e kualifikimit pas 45 minutave të para thuajse perfekte.

45+1’ GOOOOOL Pejiç. 2-0 dhe Kukësi në kontroll. Kale bën një pasim të shkëlqyer te Emini, i cili nxjerr Pejiç të vetëm me portën e boshatisur. Kroati nuk gabon dhe afron Kukësin me kualifikimin.

42’ Serran gjuan me forcë pas një goditje nga këndi, Mikuliç grushton dhe shpëton katërkëndorin e tij.

41’ Kale harkon topin në zonë për Gurin, por devijimi i një mbrojtësi bën që sfera të kalojë mbi futbollistin shqiptar që kërkonte të gjuante me kokë, me portierin jashtë pozicionit.

39’ Dy situata të rrezikshme radhazi para portës së Koliçit, ku fillimisht Mugosha e më pas Badibanga ngatërrohen në kontrollin e topit duke mos arritur të gjuajnë edhe pse pak hapa larg portës, duke i mundësuar lojtarëve të Kukësit të largojnë rrezikun.

35’ GOOOOOL Emini. 1-0 dhe kualifikim i hapur plotësisht. Kombinimi i zakonshëm mes numrit 8 të Kukësit dhe Pejiç përfundon me gjuajtjen e saktë të Eminit i cili mposht më në fund Mikuliç. Entuziazëm i jashtëzakonshëm në stadium.

26’ Moment i vështirë para portës së Koliçit. Bajala hyn me lehtësi nga e djathta në zonë por nuk gjen momentin për të goditur. Sulmuesi pason për Brezovec që gjuan nga jashtë, por Serran devijon sferën duke larguar rrezikun.

22’ Pejiç ul topin me kokë për Eminin i cili gjuan me forcë, pa rrezikuar portën e Mikuliç pasi sfera fluturon shumë lart mbi traversë.

20’ Aksion i zgjatur i Kukësit që insiston me harkimet nga krahët për të shfrytëzuar shtatlartësinë e Pejiç. Në një aksion të tillë, pas një harkimi nga e djathta, kroati lë që topi të kalojë drejt Kale në shtyllën e dytë, por Sushiç shpëton portën me një ndërhyrje vendimtare.

11’ Emini sheh Kale që futet në zonë dhe jep një top mjaft interesant për brazilianin i cili gjuan në ecje e sipër, por Sushiç devijon sferën jashtë vijës fundore. Goditja nga këndi pasardhëse nuk prodhon rrezikshmëri për katërkëndorin e skuadrës moldave.

7’ Badibanga shpërthen në krahun e majtë dhe pasi i merr kohën Hallaçit, harkon në qendër për Mugosha, i cili thjesht e devijon me kokë, pa arritur që të gjuajë drejt portës.

5’ Tjetër aksion i rrezikshëm i Kukësit. Emini i kalon topin Pajiç, i cili e kontrollon dhe ka mundësi të pasojë për Gurin dhe Kale. Sulmuesi kroat gabon në zgjedhjen që bën duke e dhënë topin me forcë, ndërsa Guri nuk e arrin atë për të gjuajtur drejt portës kundërshtare.

2’ Emini tregon menjëherë rrezikshmërinë e tij, duke marrë topin në gjysmëfushën kundërshtare për të gjuajtur drejt portës, por pa gjetur kuadratin.

1’ Sherif luan topin e parë nga qendra dhe fillon ndeshjen.

Kukësi-Sherif 2-1

35′ Emini, 45’+1′ Pejiç / 56′ Bajala

Kukësi: Koliqi, Shameti, Serran, Hallaçi, Rrumbullaku, Musolli (72′ Zeqiri), Lena, Guri (62′ Karioka), Kale (46′ Naser), Emini, Pejiç.

Trajner: Ernest Gjoka

Sherif: Mikuliç, Raku, Posmac, Sushiç, Badibanga (82′ Bordian), Leite, Anton, De Noijer, Brezovec, Mugosha (88′ Oliveira), Bajala (90’+3′ Jardan).

Trajner: Roberto Bordin

KV: Rrumbullaku. Shameti, Naser / De Noijer, Leite

KK: De Noijer

Gjyqtar: Irfan Peljto (Bosnjë-Hercegovinë)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"