Kukësi gati për ndeshjen ndaj Dinamos, lojtarët negativizohen nga COVID-19

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2022 | 12:06

Kukësi gati për ndeshjen ndaj Dinamos, lojtarët negativizohen nga COVID-19

Kukësi kërkon ta nisë mbarë vitin dhe njëkohësisht të përfitojë nga ndalesat e rivalëve në krye të renditjes për t’iu afruar akoma më shumë Tiranës dhe mbajtur njëkohësisht të paprekur vendin e dytë.

KUKESI EDI BASHA

Përballë do të kenë Dinamon që vjen me disa ndryshime këtë merkato janari, por gjithsesi në kampin verilindor do të kërkojnë vetëm tri pikët.

Mësohet se lojtarët e infektuar pak ditë më parë e kanë kaluar COVID-in dhe kanë nisur stërvitjen me pjesën tjetër të ekipit.

Shqetësimi më i madh ka qenë për Ardit Hilën dhe Edi Bashën, dy futbollistët bazë të formacionit të Kukësit përgjatë këtyre 15 ndeshjeve, por të cilët fatmirësisht i kanë lënë gjitha pas.

Gjithsesi, mbetet për t’u parë forma fizike deri ditën e ndeshjes, por gjasat janë që të jenë në fushë.

Mungesa e vetme e Kukësit do të jetë ajo e Emiljano Mustës, afrimit të vetëm në këtë merkato dimri, i cili pati mbushur numrin 4 të kartonëve të verdhë me Partizanin.

Sa i përket merkatos duket se kjo çështje është mbyllur te Kukësi, pasi aktualisht nuk raportohet për bisedime apo ndonjë lojtar që mund të afrohet në muajin janar. Ata që u kontaktuan kishin kërkesa të larta financiare dhe u vendos që të vijohet me të njëjtin kontingjent.

STADIUMI

Për Kukësin duket se po kthehet në një mallkim rikthimi në shtëpi, pasi stadiumi ende nuk është gati. U mendua se shtyrja me disa ditë e sfidës me dinamovitët do t’u jepte kohë për ta pasur gati terrenin, por nuk ka ndodhur ashtu.

Ka qenë vetë FSHF-ja ajo që ka dhënë njoftimin edhe të arsyes së mosluajtjes në “Kukës Arena”, pasi fusha nuk është ende gati. Ngricat dhe moti i ftohtë i ditëve të fundit kanë ngadalësuar proces in e rikuperimit të fushës, pasi ende nuk janë lëshuar rrënjët e barit.

Ai që ka vendosur veton për të mos lejuar zhvillimin e kësaj ndeshjeje ka qenë eksperti grek i firmës së specializuar për fushat, Kostas Poulos.

Duke parë historinë jo të mirë me stadiumet shqiptare në të kaluarën, me nxitimin për të luajtur dhe prishur më pas tapetin, në Kukës nuk duan kurrsesi të rrezikojnë, por janë të gatshëm të sakrifikojnë ende. Për këtë arsye, ndeshja ndaj Dinamos do të luhet në “Elbasan Arena”, të mërkurën ora 16:45.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"