“Kukësi duhet ta kalojë këtë tur”, Stavri Nica: Nuk kemi sulmues, Elbasani është nivel elite

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2024 | 10:17

“Kukësi duhet ta kalojë këtë tur”, Stavri Nica: Nuk kemi sulmues, Elbasani është nivel elite

Kukësi do të synojë ta kalojë të paktën këtë tur të Kupës së Shqipërisë. Edhe pse në letër duhet të ishin ata të favorizuar, nuk është plotësisht kështu. Dhe sidomos me situatën që po kalojnë blutë. Në njëfarë mënyre “shorti” i ka rezervuar kundërshtarin më pak të dëshirueshëm nga Kategoria e Parë: Elbasanin. Verdheblutë kanë bërë investime të mëdha këtë sezon dhe veriorët e dinë që nuk do të jetë e lehtë. Kaq mjafton, që Stavri Nica mos e çojë ndërmend rrotacionin për këtë përballje.

nica

NICA Trajneri pret që veç lojës së bukura, të marrin edhe rezultatin. Të paktën, këtë gjë pohon në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” para kësaj përballje.

“Patjetër që do mundohemi ta kalojmë turin dhe ne do mbështetemi tek ajo skuadër që deri tani ka bërë lojëra të bukura. Nuk kemi ndërmend të bëjmë rotacion, përveç disa ndryshimeve të vogla. Ndoshta edhe për të provuar ndonjë futbollist. Më shumë edhe për t’i parë, sesa për të qenë pjesë e zgjidhjes së situatave”, u shpreh fillimisht tekniku i skuadrës së Kukësit.

Më tej, ai vlerëson edhe kundërshtarin që ka përballë.

“Elbasani është në nivel Superlige, me aq sa kam parë. Investimi, serioziteti që kanë për të hyrë në Superligë, ka lojtarë cilësorë dhe një trajner po ashtu cilësor. E shohim të mirëorganizuar, pasi stërviten pranë nesh”, theksoi tekniku i Kukësit.

SHPËRTHIMI Tekniku ndalet edhe te situata që po kalon skuadra në kampionat, ku u bënë dhjetë ndeshje pa fitore. Si ndër të paktët që flet troç në futbollin shqiptar, e sheh problemin tek mungesa e një sulmuesi, duke mos i kursyer kritikat edhe për drejtuesit blu.

“Mungesa e fitoreve? Nuk ka sulmues. Dhe sërish nuk kanë ardhur sulmues cilësor. E treguan edhe dy ndeshjet e para që u mbështetëm kryesisht tek ai sulmuesi i ardhur, që nuk premton shumë, ashtu edhe te Rashiti që vazhdon po programin e vet. Nesër (sot) nuk do të jetë pjesë e formacionit. Kjo tregon që ne do vuajmë gjithë kohës. Kur trajneri flet dhe e ngre me të madhe, një muaj, dy apo tre dhe nuk përgjigjet askush, prapë kështu do vazhdojmë?! Do mundohemi të marrim rezultat me këta lojtarët e thjeshtë që kemi”, mbylli prononcimin e tij për gazetën, jo pak i irrituar trajneri me situatën që po kalon në klub.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"