Kukësi, akord me Mario Morinën, sulmuesin e bind trajneri Duro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2016 | 8:26

Kukësi, akord me Mario Morinën, sulmuesin e bind trajneri Duro

Merkato vazhdon të jetë e hapur te skuadra e Kukësit si në lidhje me afrimet, ashtu edhe për largimet. Verilindorët kanë nisur edhe një herë tjetër negociatat me sulmuesin kryeqytetas Mario Morina, i cili vazhdon të jetë i lirë dhe nuk ka arritur akordin me asnjë prej klubeve të Superiores.

morinaBurime pranë klubit bëjnë me dije se bisedimet vazhdojnë dhe gjasat janë që të arrihet dhe një marrëveshje mes palëve. Madje ka qenë vetë trajneri Duro, i cili ka këmbëngulur që ta ketë lojtarin në ekip dhe ditët e fundit ka zhvilluar edhe një takim me të për ta bindur që të jetë pjesë e skuadrës që drejton. Ndërkohë drejtuesit e Kukësit, në asnjë moment nuk kanë deklaruar se kanë interes për sulmuesin në fjalë, që duket më shumë si një strategji.

Afrimi i Morinës do të mbyllte disi edhe çështjen e sulmit për trajnerin Duro, duke qenë se është larguar edhe braziliani Kaetano. Ky i fundit mbërriti me shumë bujë në skuadër, madje u tha se firmosi edhe një kontratë, por në momentet e fundit nuk u arrit akordi financiar, pasi lojtari kërkoi më shumë nga sa ishte parashikuar fillimisht dhe kjo bërë që ai të largohet. Ndërkohë në stërvitjen e djeshme ka munguar edhe nigeriani Evor Bello.

Ai ishte në provë dhe, me sa duket, nuk i ka bindur drejtuesit e stafit teknik, të cilët e kanë larguar. Sa u takon lëvizjeve të tjera në merkato, Lima parashikohet që të mos bashkohet më me skuadrën, edhe pse klubi deklaron se ka qenë lojtari brazilian ai që ka kërkuar shtyrjen e kthimit për shkak të problemeve familjare. Gjithashtu shpresa të pakta ka edhe për boshnjakun Ahmetoviç, i cili është në kontratë me skuadrën e Slobodës dhe nuk mund të jetë i lirë. Në një situatë të tillë drejtuesit janë në alarm, pasi kërkohet një sulmues me potencë, deri në mbylljen zyrtare të afrimeve.

Ndeshja

Në lidhje me ndeshjen ndaj Teutës, kuksianët kanë zhvilluar dje seancën e fundit stërvitore dhe, më pas, janë grumbulluar në një nga hotelet e qytetit bregdetar. Situata në skuadër është paraqitur e mirë, ndonëse trajneri Duro duhet që të sajojë disi formacionin për shkak të mungesave. Takimi me Teutën, i vlefshëm për Kupën e Shqipërisë, parashikohet mjaft i vështirë për kuksianët, duke qenë se durrsakët janë një ekip i kompletuar. Natyrisht që objektivi kryesor është fitorja, pasi presidenti Gjici i ka kërkuar triumfin këtë kompeticion ekipit.

Përgatiti: SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"