Kthim pas 45 muajsh, ja kush e motivon Partizanin në Ballsh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2019 | 23:40

Kthim pas 45 muajsh, ja kush e motivon Partizanin në Ballsh

Partizani prej tri ditësh ka nisur për gatitjet për transfertën e Ballshit, por dihet që Bylsi është një kundërshtar, i cili u ka prishur punë të kuqve në të shkuarën.

bylis partizani

Të njëjtën gjë tregoi edhe dueli i fazës së parë, ku në minutat shtesë të besuarit e trajnerit Dovedan u hoqën fitoren nga duart, pasi Ntepe barazoi rezultatin në shifrat 1- 1. Partizani rikthehet në Ballsh pas 45 muajsh. Për herë të fundit kanë luajtur në “Adush Muça” më 9 mars 2016, kur të kuqtë kanë fituar në shifrat 0-2.

Nga ky sukses i fundit, në radhët e Partizanit kanë mbetur vetëm dy futbollistë, kapiteni Alban Hoxha dhe Lorenc Trashi, i cili shënoi në atë takim golin e dytë, pasi të parin e kishte realizuar Emiljano Vila. Janë dy futbollistët e Kombëtares që e dinë se si fitohet në Ballsh, ndaj Hoxha dhe Trashi shikohen si motivuesit e “demave” për transfertën e 7 dhjetorit në “Adush Muça”.

Gjithsesi, nga ajo ndeshje kanë mbetur edhe tre protagonistë të tjerë. Ardit Peposhi, një ish-lojtar i Partizanit, edhe në atë takim të 9 marsit ka qenë pjesë e Bylisit, por ka një rokadë mes dy futbollistëve të tjerë. Amir Bilali ishte pjesë e Bylisit në atë takim, ndërsa tani është i kuq, por akoma nuk ka debutuar në Superiore. Ditmar Bicaj hyri në fushë në këtë takim në minutën e 82-të në vend të Torasës, ndërsa më 7 dhjetor do të ketë statusin e ish-it ndaj “demave”.

Si për analogji, edhe në atë takim të para 45 muajve, të dyja ekipet drejtoheshin nga trajnerë të huaj. Bylisi drejtohej nga boshnjaku Adnan Zildzoviç, ndërsa trajner i Partizanit ishte italiani Andrea Agostineli. Ky takim ka qenë i vlefshëm për javën e 25-të, por në fazën e katërt kanë qenë ballshiotët që i surprizuan të kuqtë në “Qemal Stafa”, pasi me fitoren 2-1 i nxorën të kuqtë nga lufta për titullin kampion.

Ardit Hoxhaj, me dy golat e tij të shënuar më 8 maj 2016, bëri që Partizani të humbiste betejën direkte me Skënderbeun për titullin kampion, ndonëse goditjen e parë e kishin marrë para një jave në derbi, ku barazuan 2-2. Të kuqtë rikthehen pas 45 muajsh në Ballsh për të përsëritur të njëjtin sukses, që i bën të shkojnë të qetë në derbin e javës së 15-të, pasi aktualisht kryesojnë Superioren me katër pikë diferencë nga Kukësi i vendit të dytë.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"