Kthesa e Partizanit, trajneri Shehi zbardh mbledhjen para derbit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2024 | 10:27

Kthesa e Partizanit, trajneri Shehi zbardh mbledhjen para derbit

“Derbi anti-krizë”, ishte shprehja që hapi edicionin e së premtes së kaluar të gazetës, në ditën kur Partizani dhe Tirana përplaseshin në “Air Albania”. Triumfoi Partizani, me trajnerin Orges Shehi, që fiton derbin edhe si i kuq, pasi shkëlqeu në anën tjetër.

shehi

Në prononcimin pas ndeshjes, trajneri durrsak la të kuptohej se situata pas Dinamos nuk ka qenë më e mira, por një mbledhje ka ndihmuar në përmbysjen e situatave dhe rikthimin te fitorja, pas katër rezultateve pozitive në kampionat. Trajneri ka thërritur gjithë ekipin, ku ka kërkuar më shumë nga individë të veçantë dhe vëmendjen e ka vënë te egoizmi në fushën e lojës, që sjell edhe humbjen e rasteve. Shehi kërkon ruajtjen e mobilizimit dhe vijimin me rezultate pozitive.

TRIUMF NË DERBI – “Është fitore me vlerë, dihet çfarë rëndësie ka derbi. Vinim pas dy ndeshjesh jo të mira, sidomos me Dinamon. Nuk kemi ecur me hap kampioni, por me hap normal. Gjatë gjithë javës lojtarët i kam parë me motivim ekstra. Pas ndeshjes me Dinamon kemi bërë një mbledhje, ku jemi ulur të gjithë me njëri-tjetrin për të diskutuar dhe për të parë se çfarë nuk shkon dhe çfarë duhet të bëjmë. Kam një skuadër me karakter. Djem që kërkojnë të përmirësohen, të bëjnë më të mirën, gjë që e arritën me këtë triumf në derbi”.

PËRMBYSJE – “Mendoj se kemi bërë ndeshje të mirë, edhe pse ka ende probleme për tu rregulluar. Kemi thyer avantazhin e kundërshtarëve. Pësuam shumë shpejt gol dhe të kthesh derbin që në pjesën e parë është e rëndësishme. Patjetër që pas golit të dytë kishim edhe raste të tjera. Kërkuam që të jemi gjithnjë agresivë”.

MINUTAT E FUNDIT – “Nuk kisha frikë në momentet e fundit. Në disa momente vuajtëm nga e majta jonë, duke lënë dyluftime një kundër një Abazajn, sepse e gjithë manovra e kundërshtarit aty ishte. Ndryshuam vendosjen dhe dolëm me pesë, duke futur Prekën. Në fund nuk kishim ndonjë ndjenjë frikë, pasi realisht kundërshtari nuk u afrua ndonjëherë te porta, përveç ndonjë topi të dytë ose të ngelur”.

PARTIZANI I SHEHIT? – “Unë jam pjesë e klubit, Partizani është i tifozëve, i Gaz Demit. Ne jemi të gjithë në shërbim të këtij klubi dhe kërkojmë të bëjmë më të mirën tonë. Derbi ka një impakt te lojtarët, por ajo që na mbetet si detyrë është që të ruajmë mobilizimin dhe dëshirën për të mos pasur luhatje nga një ndeshje te tjetra”.

DERBI NË DY ANË – “Në këtë derbi edhe unë kisha ca emocione, sepse kisha përballë një skuadër me të cilën kam luajtur 10 derbe. Është ndjesi e bukur ta fitosh derbin në secilin krah. Ndihem mirë”, u shpreh Shehi.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"