“Kryebashkiaku e shkatërroi Luftëtarin”, reagon ish-presidenti Tavo: Sakrifica ime solli histori në Gjirokastër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2020 | 23:45

“Kryebashkiaku e shkatërroi Luftëtarin”, reagon ish-presidenti Tavo: Sakrifica ime solli histori në Gjirokastër

Pas lajmit se është kallëzuar penalisht nga Bashkia e Gjirokastrës, ishpresidenti i Luftëtarit, Grigor Tavo, ka reaguar dhe ka akuzuar kryebashkiakun Golemi si përgjegjës për shkatërrimin e ekipit.

grigor tavo

“Të nderuar bashkëqytetarë dhe tifozë të Luftëtarit. Gjendja e ekipit të zemrës, si dhe spekulimet që e ndjekin më detyrojnë të sqaroj shumëçka.

I bëj me dije Bashkisë Gjirokastër dhe kryetarit të saj, Flamur Golemi, se është dhe duhet të ndihet fajtori kryesor i rrënimit të futbollit në qytet për disa arsye. Bashkia është e vetmja në vend, krahasuar edhe me ato më modeste, që nuk jep asnjë lek për sportin. Me një vendim arbitrar Këshilli i kontrolluar i Bashkisë ka ndalur çdo qindarkë drejt sportit, duke mos përmbushur asnjë detyrim ligjor. Bashkia Gjirokastër nuk ka respektuar as vendimet e gjykatës për të paguar këstin e fundit të destinuar për Luftëtarin.

Çështja më e ndjeshme është e quajtura krizë e borxheve. Sqaroj se detyrimet në momentin që kam lënë drejtimin e ekipit kanë qenë rreth 180 mijë euro. Por, në çdo diskutim harrohen të ardhurat. Janë 243 mijë euro të akorduara nga pjesëmarrja historike në Europa League, që i tejkalojnë detyrimet e lëna prej meje.

Cilitdo kryetar bashkie që kërkon të fshihet pas gishtit, dua t’i shpjegoj se politika dhe sporti nuk duhet të përzihen. Dihet që futbolli në Shqipëri është një gropë e zezë dhe sakrifica ime solli histori në Gjirokastër. E ftoj Flamur Golemin të gjejë një Grigor Tavo dhe ta çojë sërish Luftëtarin në Europë. Deri tani, qyteti ka parë vetëm rrënim”, është shprehur Tavo.

T. SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"