Kroati në version “shpërthyes”, as e diela nuk e mbush stadiumin! Ja pikantet e Partizanit dhe Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2023 | 16:58

Kroati në version “shpërthyes”, as e diela nuk e mbush stadiumin! Ja pikantet e Partizanit dhe Kukësit

“Panorama Sport” ju sjell momentet pikante të ndeshjes mes Partizanit dhe Kukësit në stadiumin “Arena e Demave”, e mbyllur me shifrat 4-3.

FDGD

* Në stadium nuk ishin më shumë se 1 mijë veta, megjithëse ishte ditë e diel dhe orar ideal për të gjithë.

* Birçaj, Dabo, Sembene dhe Mba rehatohen në tribunën kryesore për të ndjekur ndeshjen nën shoqërinë e njëri-tjetrit.

* Pano Qirko, ndryshe nga ndeshja e shkuar, në këtë ndeshje nuk ishte as në pankinë. Nga klubi i kuq nuk është njoftuar ndonjë dëmtim, megjithëse dihet se vlonjati vjen pas një problemi në brinjë, pas një aksidenti të pësuar me makinë.

* Nëse Nica e ka një zakon të vjetër mbajtjen e kapelës, këtë herë edhe Zekiç kishte zgjedhur të mbante këtë aksesor.

* Fejzaj ekzekuton një goditje dënimi pranë pankinës së Kukësit. Kur po përgatitej, Nica i afrohet dhe i jep udhëzime nga pas, duke përgatitur një skemë, që gjithsesi nuk i kap në befasi të kuqtë.

* Zoran Zekiç duket shumë shpërthyes në pankinë në këtë ndeshje, ndryshe nga sfidat e shkuara kur ka qenë më i qetë. Nuk mungojnë as protestat e shpeshta tek arbitri i katërt. Herë pas here duket sikur kroati kërkon të hyjë vetë në fushë për të korrigjuar të tijtë.

* Ndeshja e Da Silvës zgjat vetëm një gjysmë pjese. Braziliani pëson një goditje në kavilje dhe detyrohet t’i lërë vendin Grezdës. Më pas shihet me kavilje të fashuar me akull.

* Bintsuka shënon golin e tretë të tij në këtë ndeshje, me kongolezin që e feston në mënyrë të veçantë me disa rrotullime në ajër. Pas ndeshjes, ai nuk harron të fusë në çantë topin e ndeshjes, pas tregolëshit të parë të shënuar në karrierë.

* Në një moment dëgjohen tone të larta nga tuneli dhe Zekiç, i pozicionuar në pjesën e intervistave për shtyp, afrohet menjëherë te dera. Mjafton prezenca e tij që në tunel të mos dëgjohen më zëra.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"