Kriza “mbërthen” Flamurtarin/ Vlonjatët rrezikojnë rënien në Kategorinë e Dytë, por blozë janë edhe ekipet e moshave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2021 | 17:04

Kriza “mbërthen” Flamurtarin/ Vlonjatët rrezikojnë rënien në Kategorinë e Dytë, por blozë janë edhe ekipet e moshave

Kriza ka mbërthyer Flamurtarin nga ekipet e moshave e deri tek ai i parë. Një reaksion që po ecën zinxhir dhe po shënon ndoshta kohën më të errët të historisë kuqezi. E ndërsa “të mëdhenjtë” rrezikojnë të bien në Kategorinë e Dytë, edhe “të vegjlit” janë në një situatë të vështirë.

flamurtari-oriku

Si për koincidencë apo dhe për ironi të fatit, të gjitha ekipet e moshave, U-15, U-17 dhe U19 renditen në vendet e fundit të klasifikimit.

Akademia e Flamurtarit nuk ka prodhuar më futbollistë. Duket se gjithçka është stopuar që në brezin e Hair Zeqirit & CO. Madje, këtë gjë e vuri në dukje edhe Sinan Idrizi dy ditë më parë për “Panorama Sport”, teksa u shpreh: “Është fatkeqësi që të gjitha ekipet e Vlorës në futboll janë në fund. Ka diçka që nuk shkon”.

REAKSIONI ZINXHIR

Ekipi i parë i Flamurtarit aktualisht gjendet në vendin e shtatë në renditjen e Grupit B me 7 pikë. Në 11 ndeshje të luajtura, kuqezinjtë kanë një bilanc tepër negativ. Ata kanë pësuar 8 humbje, kanë marrë 2 fitore dhe një barazim. Edhe golavarazhin e kanë blozë, teksa kanë pësuar 18 gola dhe kanë shënuar vetëm 6.

Në një situatë problematike gjendet edhe ekipi i U-17-vjeçarëve. Paratërinjtë janë në vendin e 9-të. Në 16 ndeshje të luajtura, ata kanë marrë vetëm 3 fitore dhe po kaq edhe barazime, ndërsa shënojnë 10 humbje. U-17-vjeçarët kanë pësuar 39 gola, ndërsa kanë shënuar vetëm 16. Në po të njëjtat pozita të vështira është edhe ekipi Flamurtari U19. Edhe të rinjtë janë po në vendin e nëntë në klasifikim.

FLAMURTARI (1) logo

Në ndeshjet e luajtura deri tani, kanë grumbulluar vetëm 14 pikë. Kanë arritur vetëm 4 fitore dhe 2 barazime dhe si për koincidence kanë 10 humbje, aq sa edhe U-17-vjeçarët. Kanë shënuar vetëm 16 gola dhe kanë pësuar 26. Një situatë kjo që tregon se Flamurtari “lëngon” nga më të vegjlit e deri te të mëdhenjtë, ndërsa duhet një strategji e mirëfilltë për ringritjen duke nisur pikësëpari me akademinë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"