Kreu i FSHA-së, Ruli: Në KOKSH s’ka vjedhje, Bezhani ta ndalë “violinën”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2021 | 20:31

Kreu i FSHA-së, Ruli: Në KOKSH s’ka vjedhje, Bezhani ta ndalë “violinën”

Gjergj Ruli, presi denti i Federatës Shqiptare të Atletikës, në një intervistë për “Panorama Sport” ka folur për pritshmëritë e FSHA-së në vitin 2021, duke premtuar rezultate të mëdha. Por, përveç atletikës, Ruli është ndalur edhe te zhvillimet e Komitetit Olimpik, institucion që prej kohësh prodhon përplasje, akuza dhe skandale të shumta.

Gega-Ruli-Bezhani

ATLETIKA NË 2021- SHIN – “Ky vit do të jetë më elitari që mund të ketë atletika shqiptare, sepse kemi një atlete si Luiza Gega, e cila garanton rezultate të shkëlqyera. Gjithashtu, kjo sportiste ka pasueset e veta, motrat Relaksa dhe Redia Dauti, të cilat gjithashtu kanë një të ardhme të madhe përpara”, deklaron Ruli. Më tej kreu i FSHA-së ndalet edhe te sportistët e tjerë, duke filluar që nga atleti që stërvit vetë, Izmir Smajlaj: “Ajo që premtoj edhe një herë është që ky vit do të jetë i artë për kërcimin së gjati, ku do të arrijmë rezultatin mbi 8.30 metra me Izmir Smajlajn. Gjithashtu, kemi pritshmëri të larta nga Franko Burraj, një kampion i madh i atletikës shqiptare, si dhe nga atleti i perspektivës Heldi Valikaj, i cili ka qenë fantastik gjatë 2020-ës. Presim vetëm që Ministria e Sporteve të jetë korrekte dha ta ndajë sa më shpejt buxhetin, sepse na pret një edicion me shumë evente”.

GARAT – Ruli flet edhe për kalendarin, teksa atletika shqiptare ka përpara gara të rëndësishme: “Më 15 shkurt do të kemi Kampionatin Ballkanik për të rinj që do të mbahet në Sofje. Por, dua të theksoj edhe një herë që nuk bëhet fjalë për Ballkanin gjeografik, pasi në këtë kompeticion marrin pjesë 24 shtete, pra kemi edhe më shumë pjesëmarrëse edhe se Lojërat Mesdhetare. Më pas më 21 shkurt kemi ballkaniadën e të rriturve në Stamboll, një ditë më pas mbahet ‘International Cup’. Më pas vijojmë në javën e parë të marsit me Kampionatin Europian”.

PËRPLASJET NË KOKSH – Siç dihet, KOKSH ka shkuar deri në prokurori, teksa është hapur një procedim penal për vjedhje, por për Rulin këto akuza nuk janë aspak të vërteta, pasi janë vetë ndërkombëtarët që nuk të lënë hapësirë për abuzim: “Në Komitetin Olimpik nuk janë ato vjedhje, për të cilat janë shprehur në mënyrë aq të shëmtuar, sepse tek e fundit kontrollin aty e bën vetë IOC. Pra, për ato para që japin, ndërkombëtarët kërkojnë llogari për çdo cent. Kështu që, nëse janë vjedhur lekët, e bën gjyqin vetë IOC. Por, këto akuza më duken vërtet qesharake, sepse ata drejtues që akuzohen janë miliarderë dhe s’kanë nevojë të fusin duart në KOKSH. Të gjitha këto abuzime që po dëgjojmë lart e poshtë, IOC i ka në tavolinë dhe nëse do të ishte ashtu sikurse deklarojnë, ata do të vinin dhe do të hetonin vetë. Paratë në KOKSH janë vetën projekte, sepse njerëzit duke dëgjuar këta persona që akuzojnë mendojnë se në KOKSH u bëka nami”.

TITUJT INDIVIDUALË – Në një prej pikave të asamblesë së 10 janarit u vendos të hiqej e drejta e votimit për personat me tituj individualë. Por, për kreun e atletikës, kjo nuk ishte diçka e drejtë: “Unë nuk kam qenë dakord dhe më vjen keq për vendimin e marrë, pasi ata persona që kanë qenë me tituj individualë janë personalitete të sportit shqiptar. Kanë dhënë kontributin e tyre vullnetar dhe në çdo vend këta njerëz vlerësohen duke qenë anëtarë”.

FIRMAT PËR ASAMBLENË – Në fund Ruli flet edhe për pretendimin e Viron Bezhanit për falsifikim me firmat për thirrjen e asamblesë, teksa sqaron se, sipas tij, gjithçka është bërë sipas rregullave për t’i dhënë fund kësaj situate: “Ne shkuam në hotel ‘Mak Albania’ ku firmosëm për aktin e shkarkimit të presidentit dhe për të gjitha pikat e rendit të ditës. Unë nuk jam idiot të firmos pa lexuar rendin e ditës. Nuk kam firmosur për të poshtëruar Viron Bezhanin, të cilin e kam mik edhe shok, por e kam bërë për sportin që të mbarojë sa më shpejt kjo ‘odise’ kaq e turpshme. Nëse do të vazhdojë kjo lloj violine, qoftë nga Bezhani apo nga aktorë të tjerë, ju bëj me dije që Shqipëria do të përjashtohet nga Lojërat Olimpike. Do të jetë një turp i vërtetë, sepse atëherë do të marrim pjesë pa flamur dhe pa himn kombëtar. Siç dihet, IOC i ka pranuar denjësisht verdiktet e asamblesë së 10 janarit. Bezhanit i ka përfunduar mandati dhe le të kontribuojë si ish-sportist, si mësues apo trajner mundjeje dhe t’i lëmë këto shkarravitje apo sherre të shëmtuara”, përfundoi Ruli.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"