“Kreu do ndryshojë shpesh”, Gurishtën e kënaq edhe një pikë ndaj Laçit: Kemi bërë një hap të sigurt drejt Europës…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2021 | 20:58

“Kreu do ndryshojë shpesh”, Gurishtën e kënaq edhe një pikë ndaj Laçit: Kemi bërë një hap të sigurt drejt Europës…

Kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, e vlerëson barazimin ndaj Partizanit si rezultatin më të drejtë. Mbrojtësi mungoi për shkak kartonësh kundër “demave”, por tashmë rikthehet i gatshëm për ndeshjen ndaj Laçit, që do të luhet të shtunën në transfertë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai analizoi situatën te kuqeblutë, ndërsa beson se këtë herë do të ndryshojë historia e përballjeve me kurbinasit.

Gurishta Vllaznia

Erdenis, munguat ndaj Partizanit për shkak kartonësh, por ishit pranë skuadrës. Si e patë Vllazninë, mendoni se barazimi ishte i drejtë?

Më të domosdoshme ishin 3 pikët për ne, për shkak se luanim në shtëpi dhe përballë një kundërshtari direkt për kreun. Megjithatë, për mënyrën si shkoi ndeshja, mendoj se barazimi ishte rezultati më i drejtë.

Tashmë jeni bashkëkryesues me Teutën. Si e shikoni garën për kreun?

Deri në fund të kampionatit do të jetë një garë e forte, ku mendoj se shpeshherë do të ketë ndërrime vendesh. Besoj se ekipi që gabon më pak në këtë fazë të fundit të kampionatit, do të shpallet kampion.

Tani në lojë për titullin dhe Kupat e Europës është futur edhe Tirana…

Nuk na shqetëson aspak Tirana apo ekipet e tjera, ne thjesht duhet të shohim ndeshjet tona dhe të marrim maksimumin e pikëve. Gjithçka varet më shumë nga këmbët tona.

Me këtë rivalitet të madh, i druheni faktit se mund të rrezikoni jo thjesht kreun, por edhe zonën europiane?

Vllaznia ka zhvilluar një sezon shumë të mirë deri në këto momente. Normalisht që çdo ekip ka ulje-ngritjet e veta, por e përgjithshmja është pozitive. Kemi bërë një hap drejt Kupave të Europës. Tani në këto 10 ndeshjet e fundit duhet të luftojmë më shumë për ta merituar këtë vend.

Gurishta

Të shtunën do të luani në Laç me të vetmin ekip që s’keni marrë asnjë pikë këtë kampionat. Çfarë prisni këtë herë?

Këtë herë do të jetë një ndeshje tjetër. Pas humbjes në Durrës, mendoj se Laçi ka më shumë presion dhe ne do kemi shanset tona që presionin e tyre ta kthejmë në favor.

Do t’ju kënaqte edhe një pikë në këtë përballje?

Kur e mendon para ndeshjes dhe në këtë fazë të kampionatit që jemi, edhe një pikë nuk do të ishte keq në një fushë si ajo e Laçit. Megjithatë, ne do të futemi në fushë për të marrë maksimumin e pikëve.

Luani sërish me Laçin mesjavën e ardhshme, por këtë herë për gjysmëfinalen e Kupës…

Sigurisht që edhe Kupa është objektivi ynë. Jemi 90 minuta larg finales dhe duhet të japim maksimumin që të shkojmë deri në fund. Pastaj, do të kemi kohë për ta menduar finalen.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"