Krasniqi “parakalon” Bregun, Daja bindet nga futbollisti i ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2020 | 22:04

Krasniqi “parakalon” Bregun, Daja bindet nga futbollisti i ri

Merkatoja po “zien” në Korçë. Vërtet mungojnë afrimet e bujshme, por kjo e ka një arsye. Klubi është i gjithi i përqendruar në dalje, ndaj edhe po tregohet i kujdesshëm me hyrjet. Me ndonjë shitje të mundshme, Skënderbeu do t’i rregullonte ndjeshëm balancat financiare dhe do ta kishte shumë herë më të thjeshtë që të shtonte cilësinë në grupin aktual.Skenderbeu festa

Edhe pse është folur shumë dhe shpesh për transferimin e Dejvi Bregut që në janar, duket se Blerim Krasniqi e ka “parakaluar”. Burime të sigurta për “Panorama Sport” theksojnë se fieraku ka më shumë kredite që të shitet i pari. Të njëjtat burime thanë se ekipi i Hamarbit në Suedi është interesuar për shërbimet e lojtarit. Edhe pse mungon një ofertë zyrtare, ajo që jep shpresë është fakti se interesimi i suedezëve është i vazhdueshëm dhe mbi të gjitha serioz.

Krasniqi është në dalje, por kjo nuk do të thotë që interesimet për Bregun mungojnë. Vlonjati vijon të ndiqet nga ekipe të caktuara, por ende nuk ka ndonjë të dhënë të qartë nëse do të vijë një ofertë zyrtare që Skënderbeu të bindet për ta shitur dhe lojtarit t’i plotësohet ëndrra që të luajë jashtë Shqipërisë. Klubi nga ana e tij kërkon të përmbushë pritshmëritë me këta dy lojtarë, ndaj janë të vendosur që të mos i lëshojë “xhevahirët” për hiçgjë. Vetëm nëse i vendoset në tavolinë ndonjë shumë e majme, do të jenë gati që të japin OK-in për transferimin e tyre.avdyli krasniqi

MENSAH

Me një largim të mundshëm të Blerim Krasniqit, Skënderbeu do të ishte i detyruar që të futej në merkato për sulmin. Ky repart ka mbetur i boshatisur, edhe prej largimit të Oto Xhonit drejt Prishtinës. E megjithatë, në klub kanë qenë të vendosur që të mos nxitohen. Ata kanë menduar ta gjejnë zgjidhjen brenda grupit ekzistues. Vetëm ndonjë “okazion” mund t’u ndryshojë planet.

Trajneri Ilir Daja po bindet gjithnjë e më shumë nga forma e Alfred Mensah. Sulmuesi ganez nuk u federua për pjesën e parë të sezonit, megjithatë është stërvitur gjatë gjithë kohës me ekipin dhe ka qenë nën vëzhgimin e plotë të stafit teknik. Cilësitë e tij kanë bërë që tekniku 53-vjeçar ta shohë si zëvendësuesin e mundshëm të Oto Xhonit. Kjo bën që Skënderbeu të mos ketë nevojë për momentin të afrojë një tjetër lojtar për ofensivën, përderisa zgjidhjen e ka në ekip.

Llazi Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"