Korabi prezanton dy afrimet brenda ditës, trajneri Canaj: Më bindi projekti, jo financat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 31, 2021 | 11:05

Korabi prezanton dy afrimet brenda ditës, trajneri Canaj: Më bindi projekti, jo financat

“Zgjohet” Korabi, bën dy afrime në një ditë. Mbrojtësi Reild Kurti dhe mesfushori Patrik Treni prezantohen, duke e çuar në 3 numrin e përforcimeve (pas portierit Avernold Qyrani). E megjithatë, ky është vetëm fillimi.CANAJ

Orët e mbetura nga tregu i transferimeve do të sjellin të tjera goditje. Ardhja e një emri të madh në stol, si Agim Canaj, ka shtuar optimizmin në radhët e ekipit. Kjo u kuptua qartë edhe dje, teksa vlonjati zhvilloi të parën seancë stërvitore. Që të gjithë janë të bindur për ngjitjen, madje edhe vetë trajneri i sapoemëruar. Në një intervistë të dhënë dje për “Panorama Sport” ai zbërthen planin që ka me dibranët.

Profesor, si u bindët që të merrnit drejtimin e Korabit?

Më bindi projekti. Pas një bisede që pata me kryebashkiakun Dionis Imeraj dhe me administratorin Fehmi Mëziu, ata më shpalosën objektivat. Dhe kaq mjaftoi që të pranoja. E mora me kënaqësi drejtimin e Korabit dhe jo nga ana financat. Duke qenë se kam eksperiencën e duhur në disa ekipe, erdha që të ndihmoj dibranët në misionin që kanë. Shpresoj që ta çoj drejt suksesit ekipin. Më duhet që të falënderoj drejtuesit që më besuan.

Cili është objektivi që ju ka vendosur klubi?

Duke parë ecurinë e deritanishme të Korabit, drejtuesit kanë objektiv ngjitjen në Superiore dhe afirmimin e talenteve të reja.

Si ju duket gjendja e futbollistëve?

Dihet që çdo trajner ka filozofinë e vet dhe sidomos kur ndryshimet në stol bëhen brenda një sezoni. Megjithatë, më duhet ta falënderoj Klevis Dalipin për punën që ka bërë deri tani. Për të flasin rezultatet. Sot (dje) është seanca e parë stërvitore dhe do të shoh nga afër gjendjen aktuale të ekipit.

Ka pasur 4 largime në radhët e titullarëve, çfarë prisni nga merkatoja?

E vërtetë, janë larguar 4 futbollistë, por do shoh situatën nga afër dhe më pas do kem një ide më të qartë. Në të gjitha repartet mund të kemi nevojë për ndonjë përforcim.

Debutoni me Orikun, e mjaftueshme koha për ta përgatitur grupin?

Duke filluar nga sot (dje) do të stërvitemi për ndeshjen e parë të fazës së dytë. Siç dihet, kampionati fillon më datë 6 dhe luajmë në transfertë ndaj Orikut. Qëllimi është që ta nisim mbarë, do ta shfrytëzojnë çdo ditë në maksimum.

FATMIR ZHUZHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"