“Korabi nuk është kundërshtar i lehtë, kanë eliminuar Tiranën”, flet zv.trajneri Plori: Na mungon lojtari që…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 16, 2021 | 14:17

“Korabi nuk është kundërshtar i lehtë, kanë eliminuar Tiranën”, flet zv.trajneri Plori: Na mungon lojtari që…

Pas rezultateve të dobëta në kampionat, humbjes së vendit të parë dhe rrëmujës që u bë me trajnerin Brdariç, si duket në kampin e Vllaznisë është rikthyer sadopak qetësia.

Plori Vllaznia

Shkodranët nesër përballen me Korabin për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, teksa kuq e blutë duken të karikuar në maksimum.

Para ndeshjes së nesërme, në një deklaratë për shtyp doli zëvendëstrajneri i shkodranëve, Elvis Plori, i cili veç të tjerash foli për situatën aktuale në klub, për premtimin qe u kanë dhënë drejtuesve dhe gjithashtu foli dhe për Korabin, duke e cilësuar si një kundërshtarë që nuk duhet nënvlerësuar, sepse vijnë pas eliminimit të Tiranës në raundin e mëparshëm.

Situata aktuale: “Situata e krijuar pas ndeshjeve të fundit kuptohet që na ka mërzitur të gjithëve. Ne e prisnim që do te kishim momente jo të mira, por nuk prisnim qe do të zgjaste kaq shume. Kemi besim se do ia dalim të rikthehemi sërish aty ku ishim ngaqë është i njejti grup lojtaresh, është i njëjti staf teknik. I kemi premtuar drejtuesve të klubit se do ta ndryshojmë këtë gjendje sepse këtë e bazojme tek puna qe bëjmë çdo ditë në stërvitje”.

Ndeshja me Korabin: “Po vlerësojmë maksimalisht çdo kundërshtar dhe këtë gjë po bëjmë edhe për Korabin. Vërtetë ai vjen nga kategoria e parë, por të mos harrojmë se ka eliminuar Tiranën në kupë. Edhe në Shkodër do të vijnë me objektivat e veta, por edhe ne e kemi të qartë se çfarë duhet të bëjmë. Nuk ka asnjë shenjë nënvlerësimi për këtë takim, perkundrazi do ta shohim si mundesi e daljes nga gjendja ku ndodhemi. Kualifikimi neser do të na ndihmonte për këtë gjë, e për të menduar pastaj disi me të qetë për sfidën e kampionatit me Kastriotin”.

Ku çalon Vllaznia?: “Për të fituar ndaj Korabit na duhet të rregullojmë diçka në sulm sepse në këto ndeshjet e fundit na ka munguar njeriu që shtyn topin në rrjetë. Shpresoj që nesër të bëjmë zgjedhjen e duhur dhe të jemi në gjysmëfinale e cila me pas do te jetë një mundesi e mirë për ta fituar edhe këtë trofe sepse do të ishte diçka e bukur për Vllazninë dhe Shkodrën”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"