Kontratat pezull, por Takaj jep garanci për zhbllokimin e merkatos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2020 | 16:53

Kontratat pezull, por Takaj jep garanci për zhbllokimin e merkatos

Skënderbeu është në “ajër”. Edhe pse kampionati vazhdon bojkotin, ende nuk kanë gati grupin për sezonin e ri. Korçarët janë kthyer në një “kantier” ndërtimi dhe nuk dihet se çfarë forme do të marrë deri në ditën kur do të zbresin në fushë. Dilemat për trajnerin Julian Ahmataj janë të mëdha, pasi merkatoja vazhdon të jetë e bllokuar.

Skenderbeu Ahmataj

Pa pasur mundësinë për të marrë elementë cilësorë, edhe vetë trajneri nuk është i qetë. Të vetmit lojtarë më peshë dhe që japin një lloj garancie janë Ditmar Bicaj apo Harallamb Qaqi, por as ata nuk mund të quhen përfundimisht si blerje. Nuk mund të flitet për firmë dhe as më pak për federime.

Me largimet masive që pati në fundin e sezonit, bardhekuqtë janë boshatisur. “Hendeku” më i madh krijohet me pamundësinë për të regjistruar edhe ato pak përforcime që kanë marrë për shkak të ngërçit me FIFA-n. Janë dhjetë futbollistë që e kanë bindur stafin teknik për të qenë pjesë e Skënderbeut për sezonin 2020-2021, por çështja është se nuk mund të jenë zyrtarisht pjesë e ekipit. Dhe ky është shkaku që klubi gjatë kësaj kohe ka shmangur njoftimet zyrtare në këtë “dritare” transferimesh.

Ahmataj Skenderbeu

LOJTARËT – Burime bëjnë me dije se duke filluar nga Bicaj e Qaqi e më pas me Govorin, Çelën, Rrapajn, Tereziun, Dujardin, Maliqin e Shabanin ende nuk e dinë nëse do të mund të jenë zyrtarisht lojtarë të Skënderbeut.

Të nëntë këta futbollistë duket se janë pezull dhe presin një “dritë jeshile” të klubit nga ana e instancës më të lartë të futbollit për t’u zyrtarizuar. Presidenti Ardjan Takaj e ka një zgjidhje apo ndoshta një premtim për lojtarët.

Presidenti ka dhënë garancinë se gjithçka do të zgjidhet për sa i përket bllokimit të merkatos. Klubi është duke punuar me këtë çështje, por në të njëjtën kohë mbeten në pritje të arkëtimeve nga Kroacia për shitjen e Jorgo Pëllumbit dhe Agon Elezit. Paratë që do të vijnë nga Varazhdin do përdoren për të mbyllur borxhet karshi ish-lojtarëve dhe zhbllokuar rrjedhimisht merkaton.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"