Konfirmimi i futbollit rrumpallë/ Absurditet dhe papërgjegjshmëri, për të disatën herë vërtetohet se …

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 21, 2020 | 16:50

Konfirmimi i futbollit rrumpallë/ Absurditet dhe papërgjegjshmëri, për të disatën herë vërtetohet se …

Dinamo është vetëm seria e fundit e një telenovele të gjatë, e cila tregon se në futbollin tonë asgjë nuk funksionon sipas rregullave dhe ligjeve. Mbetemi ende në kushtet e një rrumpalle të vërtetë në futboll, në një situatë skandaloze, me klube që nuk merret vesh se si funksionojnë dhe se si licencohen nga sektori përkatës në FSHF për të marrë pjesë në garë.

unnamed

Klubi i dytë më i titulluar në vend, Dinamo e 18 titujve kampionë, nuk e di ku është, as në qiell dhe as në tokë. Rrezikon të bjerë në nivelin më të ulët dhe kalon pa gjë të keq dorë më dorë, si të ishte një autoshkollë. E nis sezonin në krizë totale, me shpresën se mund të “peshkohet” në Superiore nga dënimi i mundshëm i një klubi tjetër, më pas mbetet me lojtarë vullnetarë.

Më pas u lihet në dorë “de facto” disa italianëve me një akord verbal, ndërkohë që administrator figuron sërish ai i mëparshmi. Vjen një staf i ri teknik dhe lojtarë të rinj. Vetëm pas pak muajsh u merret sërish administrimi italianëve, sepse ata na qenkan mashtrues…

Krejtësisht absurde, papërgjegjshmëri dhe mungesë serioziteti. Si mund ta lësh një klub kaq të madh si Dinamo në dorë të dikujt tjetër pa pasur garanci, pa pasur asnjë firmë, asnjë marrëveshje zyrtare? Si ka funksionuar kjo skuadër deri tani? Si është paguar kjo skuadër, pjesëtarët e stafit dhe lojtarët, nga dikush që nuk e ka pasur atë “de jure” nën administrim?

Po Federata Shqiptare e Futbollit, çfarë bën në këtë rast? Si ka mundësi që nuk merr asnjë masë, kur më parë ka pasur përvoja të tjera të kësaj natyre, po me drejtues të huaj, që befas marrin nën administrim një klub? Kemi rastin e Elbasanit, një tjetër klub me tituj kampion në Superiore, ku u shfaqën disa anglezë si drejtuesit e rinj dhe më pas u zhdukën. Ata kanë lënë të hapur një gjyq (nëse vërtet ekziston), ndërsa Elbasani po humb gradualisht identitetin dhe rrezikon shumë të bjerë në Kategorinë e Dytë.

Një eksperiencë e hidhur që duket se po përsëritet edhe te Dinamo. Ndoshta edhe blutë mund të përfundojnë gjyqeve dhe ai që humbet në këtë rast është vetëm futbolli ynë, i cili po zhduk nga harta e tij klubet me emër, duke ia lënë gjithçka rastësisë, edhe kur bëhet fjalë për një ekip me 18 tituj kampion si Dinamo.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"