Kompletohet Lushnja, mbërrin edhe ish-mbrojtësi i Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2017 | 20:39

Kompletohet Lushnja, mbërrin edhe ish-mbrojtësi i Partizanit

Që nga dita e enjte, verdhejeshilët lushnjarë janë të grumbulluar në qytetin e Pogradecit. Skuadra myzeqare stërvitet me dy seanca në ditë. Ekipit në Pogradec i janë shtuar Shkulaku dhe Prençi.

Prenci

Këto dy përforcime e kanë çuar në gjashtë numrin e afrimeve që ka bërë klubi deri më tani. Nga verdhejeshilët janë larguar portieri Haremi dhe sulmuesi Allkanjari tek Egnatia.

Shkulaku

Ndërsa mbrojtësi beratas Bitri nuk qëndroi te lushnjarët duke u rikthyer te Tomori. Kështu, 25 ditë para kampionatit, klubi lushnjar realizoi gjashtë afrime këtë verë. Portierin Bejte nga Sopoti, mbrojtësin Prençi nga Korabi, mesfushorët Meto e Gava nga Bylisi. Shkulakun nga Pogradeci, si dhe sulmuesin Pepa nga Vllaznia.

Canka

“Klubi lushnjar është munduar që të realizojë afrimet, të përforcojë skuadrën aty ku ka nevojë. Mendoj se është bërë një punë e mirë deri më tani. Do të shohim periudhën në vazhdim edhe për ndonjë afrim tjetër dhe për të mbyllur merkaton”, është shprehur sekretari i klubit verdhejeshil, ish-futbollisti i Traktorit, Irakli Zaka.

SUPERIORJA

Lushnjarët po bëhen gati të luajnë në kampionatin elitar pas tri edicionesh mungesë. Për herë të fundit, skuadra verdhejeshile ka luajtur në sezonin 2013-2014, ku nuk ka mundur dot të qëndrojë te më të mirët duke zënë vendin e 11-të, midis 12 skuadrave pjesëmarrëse.

Lushnja vs Lece

Edhe në këtë edicion, verdhejeshilët do të jenë një ekip në varësi të plotë të Bashkisë dhe janë munduar të krijojnë një grup interesant. Skuadra do ta nisë kampionatin në fushë asnjanëse, pasi stadiumi “Roza Haxhiu” ende nuk është gati për Superioren.

Punimet për rikonstruksionin e stadiumit dhe vendosjen e një tapeti të ri kanë nisur prej disa ditësh, por është e pamundur që gjithçka të jetë gati për në fillim të shtatorit kur do të nisë edhe kampionati.

Në këtë mënyrë, verdhejeshilët do të duhet t’i luajnë ndeshjet e para të sezonit në Fier. Stadiumi i Lushnjës ishte amortizuar shumë, në një kohë që fusha ishte në kushte të papërshtatshme për ndeshjet e elitës. Në këtë mënyrë, ndërhyrja ishte e detyrueshme.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"