Koment nga Lotar Mateus/ Hënes më ulëret në telefon sa herë kritikoj Bajernin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2022 | 22:22

Koment nga Lotar Mateus/ Hënes më ulëret në telefon sa herë kritikoj Bajernin

Unë dhe Hasan Salihamixhiç kemi shpesh diskutime dhe ai më thotë gjithnjë: “Ti më kritikon shumë. Ti e kritikon shumë Bajernin”. Po, e bëj këtë kur ata luajnë keq. Unë nuk mund t’i lavdëroj.

regular-16-9

Nëse transferimet e tyre nuk funksionojnë unë nuk mund të them: “Janë të shkëlqyera”. Sarr, Roka, Zabicer, Riçards, Toliso, Arp janë emra për të cilët kam thënë gjatë këtyre dy viteve se nuk janë për Bajernin e Mynihut. Dhe ata e kanë pranuar më pas. Por Salihamixhiç ka bërë edhe blerje të mira (Alfonso Dejvis dhe Sadio Mane). Por kur ti e lavdëron dikë dhe thua:

“Uau, transferim i shkëlqyer”, atëherë ai nuk vjen dhe të thotë: “Faleminderit që më lavdërove”. Por nëse ti e kritikon, ditën tjetër të merr në telefon dhe të thotë:

“Hej, çfarë the përsëri? Transferim i keq. Po ka kushtuar vetëm 5 milionë euro”. Po, por këto 5 milionë euro mund të ishin investuar shumë më mirë. Kur telefoni më bie në mëngjesin e së dielës me numër anonim ai mund të jetë vetëm Uli Hënes (ish-presidenti, sot presidenti i nderit). Ai ka parë ndeshjen në TV mbrëmjen e së shtunës të cilën unë e kam komentuar si opinionist dhe kur Bajerni humbiste 2-1 apo 3-1 me Maincin apo diku tjetër, normal që do të kritikohet. Por ai shpërthen në telefon për 5 minuta.

Unë nuk mund të them asnjë fjalë gjatë kësaj kohe, flet vetëm Uli Hënes. Është e pabesueshme. Ai vetëm më shan. Dhe kur i mbaron fryma, unë i them: “Uli, a mund të them edhe unë diçka për këtë? Pastaj vazhdon edhe për një minutë dhe në një pikë ti nis të flasësh. Pas 15-20 minutash në telefon ai të thotë në fund:

“Përse nuk vjen në Tegernze dhe pimë nga një gotë verë?” Unë e urova Hasan Salihamixhiçin për transferimin e Sadio Manesë. Sepse mendoj se Mane e kishte shansin për të firmosur me klube të tjera gjithashtu gjatë kësaj merkatoje. Ky transferim nuk është i rëndësishëm vetëm për Bajernin, por edhe për Bundesligën. Sepse Mane është fytyrë e futbollit botëror. Salihamixhiç i meriton me të drejtë lavdërimet që ka marrë ditët e fundit për këtë operacion.

Megjithatë, ai nuk më ka marrë ende në telefon për të më thënë faleminderit për vlerësimin tim për transferimin e Sadio Manesë. Do të jem i lumtur kur ai t’i bjerë përsëri numrit tim. Kur kritikoja me të drejtë atë dhe politikën e tij të transferimeve apo vendime të tjera gjatë muajve të fundit, telefoni më binte rregullisht. Ai mund të bëjë të njëjtën gjë tani. Do të ishte diçka e bukur nëse Hasani do të ngrinte receptorin tani dhe jo vetëm kur ka për të më thënë diçka që nuk i ka pëlqyer”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"