Kombëtarja U-21 “tkurr” Apoloninë, 3 lojtarë mund të mungojnë ndaj Kastriotit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2020 | 14:02

Kombëtarja U-21 “tkurr” Apoloninë, 3 lojtarë mund të mungojnë ndaj Kastriotit

Fierakët vijojnë përgatitjet për ndeshjen e së shtunës ndaj Kastriotit, që do të luhet në fushën asnjanëse të Kamzës. Në letër, në fillim të kampionatit, krutanët, bashkë me fierakët, janë menduar si dy skuadrat më të lehta, nisur nga fakti që të dyja vijnë nga Kategoria e Parë. Por Kastrioti ka befasuar Partizanin dhe Laçin në dy javët e para, ndaj Apolonia duhet t’i bëjë llogaritë mirë për ndeshjen kundër tyre.

ERJON SOTA

Katër pikët e marra me dy ekipe pretendente, e motivon Kastriotin për të mposhtur edhe Apoloninë. Gjithsesi, fierakët do të luajnë në maksimumin e tyre për të marrë më të mirën nga kjo përballje, pikërisht fitoren. Pas një loje të dobët me Vllazninë, Apolonia u përmirësua me Bylisin dhe “flirtoi” me fitoren, ndaj me Kastriotin do të pretendojë vazhdimësinë në lojë dhe në rezultat.

PROBLEMI – Janë jo pak, por tre futbollistë kyç të formacionit titullar të Apolonisë, që udhëtua drejt Anglisë, për t’u përfaqësuar me Kombëtaren Shpresa, pikërisht kapiteni Eljon Sota, portieri Romeo Harizaj dhe sulmuesi Redon Mihana. Përtej krenarisë që këta futbollistë të Apolonisë përfaqësojnë ngjyrat e kombit, problemi qëndron te ndeshja e radhës për fierakët, që luhet të shtunën. Tre lojtarët e sipërpërmendur kthehen të premten, vetëm 1 ditë përpara përballjes me Kastriotin dhe nuk dihet se sa të gatshëm do të jenë për të luajtur. Këto dilema kanë shtuar “dhimbjet e kokës” për trajnerin Xhovani Kolela në planifikimin e formacionit anti-Kastrioti.

NDESHJA – Apolonia ka humbur dje 0-1 me Bylisin në javën e dytë të kampionatit për U-21. Ka qenë një ndeshje e barabartë, ku të dyja skuadrat kanë pasur një formacion të përzgjedhur, me pjesën dërrmuese titullarë të ekipit të parë. Apolonia e ka nisur me këta lojtarë: Çepele, Çulli, Agyare, Asllanaj, Haxhiu, Zoga, Smaçi, R.Hebeja, Omeri, M.Sota dhe M. Gjata, ndërsa gjatë lojës janë aktivizuar edhe Zaimaj, Repaj, Kumani dhe Mërkuri. Mallakastriotët kanë përfituar nga një pakujdesi e fierakëve në mbrojtje dhe Antoni ka shënuar në minutën e 18-të.

BUJAR RAMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"