Kombëtare e shthurur, ishim katastrofë në çdo aspekt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2018 | 14:43

Kombëtare e shthurur, ishim katastrofë në çdo aspekt

SHKËLQIM MUÇA

Loja linte për të dëshiruar dhe dukej qartë që do ta kishim shumë të vështirë me atë mesfushë. Nuk pamë asgjë pozitive, në asnjë aspekt. Për të ardhur keq që ekipi nuk luan as me motivimin e duhur sepse kjo ishte nga ato ndeshje që mund t’i shërbente grupit për të ardhmen. Të gjithë lojtarët lanë për të dëshiruar.

mUCA

Të dyja fazat e lojës, si në aspektin sulmues dhe mbrojtës, ishin shumë larg ndeshjeve të kaluara. Mavraj dhe Ajeti ishin katastrofë dhe mua m’u duk një skuadër pa lidhje mes reparteve. Në pjesën e parë, sulmuesit anësorë ishin shumë larg portës dhe rrjedhimisht Sadiku nuk u mbështet fare nga ata.

Norvegjia bëri qejf sepse pati shumë hapësira dhe e komandoi lojën. I vetmi lojtar që përjashtohet nga kjo ndeshje e dobët ishte Strakosha, që na shpëtoi 3-4 gola të sigurt. Personalisht, mendoj se ishte një ndeshje për t’u harruar dhe që duhen nxjerrë mësime. E them këtë sepse jo çdo lojtar që luan jashtë Shqipërisë, mund të vijë të luajë në Kombëtare.

Shqiperia

Disa lojtarë që zbritën në fushë nuk e meritojnë fanellën dhe shpresoj që, në të ardhmen, trajneri duhet të jetë më i bindur për ata që merr. Pashë lojtarë si Lika apo Qaka, që mendoj se nuk janë gati për Kombëtaren. Duhet të bindin shumë edhe Ramadani me Baren tek U-21, pastaj të ngjitin shkallët. Nuk është aq kollaj të veshësh fanellën e Kombëtares. Panuçi duhet ta dijë se nuk është as pozitive që të marrësh një lojtar, ta aktivizosh dhe më pas të mos e ftosh më….

Grezda…

Ne si ekip nuk kemi luksin të tregojmë aftësitë individuale, duhet të luajmë kompakt që grupi të dominojë. Në aspektin mbrojtës duhet të jemi shumë më bashkëpunues. Loja e Grezdës nuk më pëlqeu fare, pasi merrte topin dhe donte të bënte gjithçka vetë. Duhet më shumë bashkëpunim me repartet.

Eros Grezda

Kombëtarja nuk është një trampolinë për interes personal, është ekip që duhet dominojë ndjenja e grupit. Shqipëria ishte e shpërfytyruar sot (dje). Ne jemi një skuadër që duhet të japim 120% në fushë për të arritur suksesin. De Biazi e kuptoi shpejt këtë dhe ndërtoi një skuadër punëtorësh, që të gjithë luajnë për njëri-tjetrin. Në sulm luhet si skuadër, jo me dy-tre lojtarë. Pashë lojtarë që nuk ndihmonin skuadrën fare në mbrojtje dhe kjo nuk shkon.

Të gjithë duhet të kuptojnë se jemi skuadër e vogël dhe të mëdhenj bëhemi vetëm kur luajmë bashkë. Fatkeqësisht, pashë një Shqipëri të shthurur totalisht. Dihej që Norvegjia është më mirë fizikisht se ne, por nuk mendoj se ishte ana fizike që bëri diferencën. Trajneri gjen atë mënyrën e lojës, ekipi kishte mangësi sidomos në aspektin sulmues.

Nuk ishte i karikuar. Lojtarët thanë që ne do punojmë shumë, por kjo është paradoksale… Ku do punojnë më shumë? Kur të shkojnë nëpër klube?! Duhet të jenë më seriozë dhe duhet që ato ditë grumbullimi të impenjohen si duhet. Kjo skuadër ka shumë për të bërë nëse do të arrijë në Europian.

MARRË NGA RTSH

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"