Kola: Tirana gaboi me Muzakën, Elis Bakaj zgjidh problemin e sulmit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2017 | 10:18

Kola: Tirana gaboi me Muzakën, Elis Bakaj zgjidh problemin e sulmit

Agustin Kola nuk e sheh as këtë sezon Tiranën për titull dhe shpëtimi sipas tij është vetëm Europa. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, ish-bomberi i bardhebluve evidenton problematikën e skuadrës në majën e sulmit. Ish-trajneri sheh si zgjidhjen e vetme rikthimin e Elis Bakajt. Madje, sipas tij, afrimi i fantazistit do të ndryshonte 90 për qind lojën sulmuese të kryeqytetasve.

Kola pret edhe çështjen “Muzaka”, duke e cilësuar të gabuar largimin e tij që erdhi për çështjen e mospagesave. “Skaneri” i tij zgjerohet edhe më tej, ndërsa flet edhe për Superioren në tërësi. Thekson se ky kampionat është ndër më të dobëtit që ka parë dhe ndoshta një hap përpara të tjerave mund të jetë Kukësi. I vjen çudi që Partizani i ka “zbehur” ndjeshëm sulmet ndaj FSHF-së dhe arbitrave, dhe jep votën e tij “pro” lejimit të të kuqve në “Selman Stërmasi”.

Agustin Kola

Jemi vetëm një javë larg rifillimit të kampionatit dhe Tirana nuk ka bërë asnjë afrim. Si e gjykoni merkaton e deritanishme?

Nuk është bërë asnjë blerje, por çfarë të thuash kur janë shlyer gjithë ato borxhe?! Ridi (i referohet Halilit) ka shpenzuar kaq shumë! Por mua më vjen keq për trajnerët në kampionatin tonë që, gjatë kohës që janë në krye të një skuadre, thonë “i ka paguar të gjitha”, ndërsa kur ikin thonë të kundërtën, “nuk i ka dha filanit e fistekut”. Në Shqipëri, 5 trajnerë janë dhe po ata qarkullojnë. E njëjta gjë ndodh edhe me merkaton. Kjo ndodh gjithandej, jo vetëm te Tirana.

Një ish-bomber si Agustin Kola, çfarë note i vendos sulmit të bardhbeluve?

Futbolli lidhet ngushtë me golin, duhet të shkosh afër portës dhe të shënosh. Po s’e bëre, nuk ka as rezultate. Është logjikë shumë e thjeshtë. Shpresoj që Tirana të marrë Elis Bakaj, e kam shumë qejf. Është një lojtar që të nxjerrë nga situata. Për të tillë elementë ka nevojë Tirana, ai di të fitojë një faull, të bën gola, të jep një pasim të saktë, fiton një penallti dhe, mbi të gjitha, kundërshtari e ka frikë. Nëse e marrin, sulmi i Tiranës ka për të ndryshuar 90 për qind me të.

Kaq e vështirë është që të gjendet një sulmues i mirëfilltë në ditët e sotme?

Është bërë disi, po sulmues edhe ka pasur shumë. Por, ndoshta, nuk kanë ditur t’i trajtojnë dhe rrjedhimisht nuk i kanë fituar. Rasti i Muzakës, për shembull, edhe pse nuk është sulmues, është një lojtar i domosdoshëm. Ata e hoqën. Dhe pse? S’e nuk i japin lekët. Ai është lojtar shumë i mirë, i dha tri pikë ekipit me golin ndaj Korabit. Nëse s’do t’i kishin marrë, sot do të ishin me 24 pikë dhe jo 27.

Çështja tashmë ka përfunduar në gjyq…

Më vjen keq për presidentët, por edhe trajnerët. Lojtarët mbrohen. Unë vetë e kam bërë. Ishte pushimi i dimrit në 2009-ën dhe më thanë që do bënim blerje, por nuk pranova. Pse? Sepse i besova grupit që kisha.

Po debatin publik që u në TV e patë?

E ndoqa në fakt. Edhe pse Muzaka ka të drejtë, mendoj se dhe lojtarët kanë vetë faj për situata të tilla, pasi e mbyllin gojën kur nuk duhet dhe flasin vetëm kur përhapet problemi.

Tirana ka hasur probleme të mëdha edhe në mbrojtje, një mungesë dhe trajneri është detyruar që të bëjë eksperimente. Pse ndodh kjo?

Kemi parë edhe Takun sulmues. Trajneri i dinte pikat e dobëta që në fillim. U tha që do bëhen blerje, por s’po i shohim.

Cilët janë repartet, ku duhet me patjetër që të bëhen përforcime te Tirana?

Një sulmues goli dhe një qendërmbrojtës i mirëfilltë. Duhen patjetër, që të jenë të sigurt.

A ka të tillë në tregun vendës?

Këta e kanë mendjen t’i afrojnë nga jashtë. Por ai i huaji kur vjen do 4 muaj që të ambientohet me ekipin dhe kur kjo të ndodhë, ka mbaruar kampionati. Këto blerje bëhen në verë dhe jo në janar, pasi dihet që në dimër më të mirët janë të angazhuar me ekipe të tjera.

Dëmtimi i Karabecit a do ta penalizojë skuadrën?

Shumë do ta rëndojë. Nuk është vetëm çështja e kapitenit apo shiritit, por te vlerat që ai lojtar ka në mesfushën e Tiranës. Është punëtor, ka grintë me bollëk dhe i bie fushës nga cepi në cep. Mungesa e tij do t’u prishë realisht punë.

Agustin-Kola

Me këtë organikë që ka momentalisht Tirana, sa larg mund të shkojë?

Unë e kam thënë dhe po e rithem. Me aq sa kam parë, futboll ka prodhuar vetëm Luftëtari. Sigurisht që ata s’kanë për të marrë kampionat. Dihet që titulli do rrotullohet rreth Skënderbeut, Partizanit, Kukësit e Tiranës. Nuk shoh ndonjë ekip të frikshëm, as korçarët nuk janë si ka qenë dhe as Partizani nuk është i “papërballueshëm”. I shoh skuadrat në një nivel të gjitha.

Nuk mendoni se ndonjëherë është një hap para të tjerave?

Kukësi ndoshta. Janë disi më të kompletuar, pasi ka ruajtur grupin e një sezoni më parë. Pastaj ka golashënues. Kur ke një lojtar që të bën golat, ke edhe qetësi.

Çfarë duhet të ndreqë Tirana në dy fazat e mbetura, keni ndonjë këshillë?

Shpresoj që të na ndihmojë fati. Çfarë të ndreqesh?! Kemi hyrë në vitin e tetë pa marrë titullin, që në 2009 është marrë kampionati i fundit. Edhe këtë vit nuk besoj se do të ndodhë gjë.

Po Europa…?

Besoj se me Europën do të merrnin frymë lirisht. Do të ishte shpëtim dhe do t’i jepte stimul ekipit dhe klubit, qoftë edhe financiarisht. Pasi u bën vite që nuk arkëtohet një qindarkë prej pjesëmarrjes në kupat europiane. Gara është e fortë edhe për Europën, por këtë vit do të jetë edhe pak punë politike. Tirana, edhe nëse do të bindë në lojë në vazhdim, nuk ma merr mendja që do të marrë gjë. Ka zgjedhje këtë vit.

Mendoni se për çështje politike, Tirana do të penalizohet?

Po, po. Shoh tani që janë zbutur të gjithë, edhe ata të Partizanit nuk shajnë më arbitrat dhe FSHF-në. A ishin ata promotorë? Pse nuk i shajnë sot…? Tirana nuk ka për të marrë gjë dhe madje do ta sulmojnë më keq.

Meqenëse përmendet Partizanin, ata presin ende një përgjigje nga Tirana dhe Bashkia për çështjen e stadiumit?

Kanë të drejtë. Këtu unë u jap të drejtë dhe e kam thënë edhe më herët. Jam kundër refuzimit, nuk mund të luajë Korabi para Partizanit. Unë mendoj se duhet të luajnë në Tiranë dhe titulli të vijë në kryeqytet.

Pse mendoni që Tirana po refuzon, cili është shkaku?

Unë besoj se nuk do t’i refuzojnë më. Ndoshta këtë e bënë prej “fanatizmit”, por kjo na përket më shumë neve dhe kur them “neve” i referohem brezit tonë. Por këta të lindurit pas ’90, nuk e dinë çfarë është komunizmi, e kuqja, e zeza apo bluja. Armiqësia është në fushë, por jo jashtë saj. Thuhet që kanë ndikim tifozët, por nuk e besoj fare këtë. Nuk mund të merret për bazë një kategori e ngushtë njerëzish apo njerëz nga politika që flasin lart e poshtë.

Cili do të jetë ekipi që mund të mbetet jashtë Europe?

Nuk e them dot këtë, është shumë herët. Janë edhe 18 ndeshje për t’u luajtur…

E fundit, po luftën për mbijetesë si e shihni? Kush do të bjerë nga kategoria?

Vllaznia nuk besoj se do të bjerë, por ashtu edhe Flamurtari. Korabi, me sa shoh, nuk është në rregull, po i ikin lojtarë. Për vendin tjetër nuk di. Pastaj nuk kam parë kampionat më të dobët t’ju them të drejtën.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"