“Klubi i Vllaznisë ka dhunuar barbarisht”, Tirana reagon pas sherrit në ndeshjen e femrave: Aktorët që po shkatërrojnë futbollin të dënohen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2023 | 20:02

“Klubi i Vllaznisë ka dhunuar barbarisht”, Tirana reagon pas sherrit në ndeshjen e femrave: Aktorët që po shkatërrojnë futbollin të dënohen

Ndeshja e femrave për Kategorinë Superiore, Tirana-Vllaznia ka degjeneruar në dhunë, ku nuk kanë munguar konfrontimet fizike mes kampeve të të dy klubeve. Klubi i Tiranës përmes faqes zyrtare në rrjetet sociale ka bërë një reagim në lidhje me situatë dhe jep versionin e saj të ngjarjes së ndodhur në kompleksin “Skënder Halili”.

A43D9EB1-BA29-47EE-97B3-0BC05BB1E63F

Ja reagimi i klubit bardheblu:

“Ditën e sotme ishte planifikuar të luhej ndeshja KF Tirana Femra – KF Vllaznia Femra, në kompleksin “Skënder Halili”. Në këtë takim, klubi shkodran nuk ka lejuar që ndeshja të luhet, duke dhënë shembullin më të keq, në një vend ku futbolli i femrave po zhvillohet dhe për më tepër që dy skuadrat ishin duke zhvilluar kampionat me pikë të plota dhe duke ndarë vendin e parë.

Në minutën e 22-të ndeshja është ndërprerë,  pasi skuadra kundërshtare ka reaguar ndaj pankinës sonë, fillimisht duke sharë e duke fyer, e më pas duke kaluar edhe në dhunë fizike.

Situata ka eskaluar, ku drejtuesit e Vllaznisë Femra, janë larguar nga pankina e tyre dhe kanë ardhur në pankinën e skuadrës së Tiranës dhe kanë nisur të shfaqin akte të tmerrshme dhune e të godasin stafin teknik, drejtuesit e klubit të Tiranës Femra si edhe futbollistet.

Klubi i Vllaznisë Femra ka dhunuar barbarisht drejtoreshën e klubit të Tiranës, Edonisa Aliaj, portieren Delvina Dyrmishi dhe futbollisten Flondra Behrami.

Dhuna ndaj grave edhe vajzave është një shkelje e përhapur e të drejtave të njeriut dhe një problem global i shëndetit publik me përmasa epidemike.

Ne si klub, presim zbardhjen e kësaj çështjeje nga organet kompetente dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë deri sa ngjarja të zbardhet plotësisht e aktorët që po shkatërrojnë futbollin “Fair Play”,  të marrin dënimin e merituar.

Asnjë justifikim për dhunën ndaj vajzave dhe grave! Asnjë justifikim për dhunën në sport!

ZYRA PËR SHTYP

KF TIRANA”

...

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"