Klubi i Kategorisë së Parë me zakonin e vjetër, merr në verë dhe hiq në dimër. Dështon sërish në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2019 | 19:25

Klubi i Kategorisë së Parë me zakonin e vjetër, merr në verë dhe hiq në dimër. Dështon sërish në merkato

Apolonia e mbyll këtë vit futbollistik me një miqësore ndaj Bylisit, “nënkampion dimri” i Superiores. Përpos ditëve të pushimit që pasojnë, fierakët duhet të mendojnë mirë për merkaton e janarit. Apolonia i ka mbyllur 12 javët e para në vend të tretë, por tani sa ka filluar “situata e nxehtë” në skuadër. 

Apolonia Elbasani

Gjithçka lidhet me organikën e saj, ku gjendja shfaqet disi “gri”. Merkatoja e viteve të fundit mund të quhet pika më e dobët, në mos dështim, pasi në janar, Apolonia ka larguar dhe largon shumë lojtarë të ofruar në verë. Sezonin e kaluar u larguan në janar A.Meto, E.Kolgega, J.Hidersha, E.Mehmeti, F.Bakalli, K.Përkeqi dhe A.Lalaj, të gjithë të ardhur në verë.

Në fund të kampionatit të shkuar u larguan edhe A.Prifti dhe O.Buzi. Duket se pak a shumë po ndodh e njëjta situatë edhe këtë fundvit. Deri tani janë larguar 4 futbollistë, K.Prifti, I.Ceka, B.Ofori dhe K.Branica, 3 të fundit përforcime të verës. Madje, me afrikanin Ofori u nënshkrua kontratë në distancë, pa e parë fare në fushë, pa provë. Futbollisti në fjalë luajti si zëvendësues vetëm 10 minuta në 1 ndeshje, teksa në Fier e kishin marrë si një lojtar që mund të luante në shumë pozicione.

Branica-1

U largua edhe Klejdi Branica, shënuesi më i mirë i së Parës sezonin që shkoi, një “asist” për skuadrat rivale që mund ta marrin sulmuesin, pavarësisht se në Fier nuk shfaqi atë që pritej. Pesë të tjerët e ardhur në verë kanë këto statistika: E.Smaçi, 708 minuta, S.Kumani, 525, S.Ymeraj, 460, G.Sharavolli, 80, dhe J.Krasniqi, 0. Aktualisht, trajneri Mërgjyshi ka në dispozion vetëm 20 futbollistë të federuar.

NEVOJAT E MERKATOS 

Thuajse në çdo repart, Apolonisë i duhen lojtarë, por mbrojta dhe sulmi mbeten primare. Në këtë periudhë, tregu vendës ofron pak ose aspak mundësi cilësore, kështu që pista kryesore mbetet ajo e huaj. Për fierakët, Ballkani është mundësia më e mirë. Vjet, në merkaton e janarit, erdhën dy serbët Lazar Vladisavljeviç (10 ndeshje, 5 gola) dhe Jordan Jovanoviç (10 ndeshje, 0 gola).

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"