Klubi është në “ajër”, Elbasani kërkon donatorë për zgjidhje provizore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2019 | 15:52

Klubi është në “ajër”, Elbasani kërkon donatorë për zgjidhje provizore

Muaji gusht konsiderohet nga të gjithë si piku i fazës përgatitore, pasi skuadrat marrin ngarkesën maksimale fizike para kampionatit. Mirëpo, skuadrën e Elbasanit ky muaj e ka kapur “gafil”, sepse jo vetëm që nuk është në pikun e përgatitjeve sezonale, por nuk i ka nisur fare ato.

FUTBOLL-ELBASANI-LUZI-2008-2019.05.26 (1)

Sikur të mos mjaftonte kjo, më e keqja është se nuk ka ende asnjë datë se kur do të kthehet në fushë skuadra, duke e bërë edhe më të vështirë situatën që po kalon ky klub. Duket se drejtuesit e Elbasanit e kanë pritur më kot zgjidhjen e ngërçit të aksioneve me palën angleze dhe tani duhet të gjejnë një zgjidhje provizore, të paktën sa për të marrë pjesë në kampionat. Dhe duhet ta gjejnë sa më shpejt këtë zgjidhje.

Në këtë rast, zgjidhja e vetme shihet te ndonjë donator që do të merrte përsipër të hiqte të paktën një pjesë të shpenzimeve, deri kur të marrë fund edhe çështja e aksioneve të shumëpërfolura. Gjatë kësaj periudhe është thënë se janë bërë bisedime për mundësinë e afrimit të investitorëve të ndryshëm, por gjithçka ka qenë në kuadrin e thashethemeve. Nuk ka asnjë zhvillim konkret në këtë drejtim dhe nëse situata do të vazhdojë e tillë, me klubin verdheblu që do të presë përfundimin e gjyqit me anglezët, atëherë pjesëmarrja në kampionatin e ardhshëm do jetë thjesht sa për formalitet.

Elbasani

Kjo do të thotë se edhe për mbijetesë në Kategorinë e Parë do të jetë shumë e vështirë, sepse Elbasanit do t’i iknin edhe titullarët e sezonit që shkoi. Në një klub që nuk ka hedhur ende hapin e parë të organizimit të skuadrës së sezonit të ri, për këta lojtarë është kohë e humbur të presin dhe natyrshëm do ta kërkojnë fatin te një skuadër tjetër.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"