“Klan” shkodran në Ballsh, Ivziku: Kam kaluar me sukses etapat, këtu besojnë te ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2022 | 22:53

“Klan” shkodran në Ballsh, Ivziku: Kam kaluar me sukses etapat, këtu besojnë te ne

Ballshi ka qenë një preferencë e lojtarëve shkodranë për të vijuar karrierën te Bylisi në mungesë të hapësirave te Vllaznia. Madje, nuk kanë qenë të pakta rastet kur pasi janë afirmuar me fanellën e mallakastriotëve, lojtarët shkodranë kanë fituar edhe një vend në ekipet kombëtare të moshave. Në sezonin e kaluar ishin plot gjashtë futbollistë nga qyteti verior te Bylisi, ndërsa aktualisht janë pesë të tillë, pikërisht Eridon Qardaku, Aleksandër Trumçi, Joald Ivziku, Marçelino Preka dhe Roland Shkreli.

Shkodranet e Bylisit

E veçanta është se janë të pestë thuajse në të njëjtën moshë, teksa kanë qenë së bashku edhe tek ekipet e akademisë së Vllaznisë apo KF Shkodra. Sulmuesi 20-vjeçar, Ivziku, është një nga lojtarët me perspektivë, i cili u afrua në pjesën e dytë të sezonit të kaluar dhe shënoi një gol me ekipin e parë. Por, ai spikati në kampionatin U-21, duke realizuar 16 herë, 12 me Bylisin si dhe 4 me Vllazninë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Ivziku tregon për ambiciet që ka si pjesë e Bylisit tashmë që u ngjit në Superiore.

“Kam kaluar me sukses etapat në ekipet e moshave dhe Ballshi ka qenë një dëshirë e imja edhe dy vite më parë, por në janar 2022 erdha dhe firmosa. Jam i kënaqur me gjysmën e dytë të sezonit të shkuar, ku fillimisht isha me ekipin U-21 dhe realizova 16 gola. Dolëm kampionë dhe fitova dy trofe, ndërsa tashmë synimet sa vijnë e rriten. Jam i kënaqur me kushtet dhe për sezonin e ri pres të luaj me ekipin e parë, por edhe me U-21, duke qenë se e kam moshën.

bylis

E rëndësishme dhe e veçanta e eksperiencës në Ballsh është se kam gjetur shumë shokë me të cilët kam luajtur edhe te moshat në Shkodër. Këtu kemi vëmendjen e duhur dhe respektin nga klubi. Kjo është një arsye pse ne vijmë te Bylisi. Falënderoj presidentin Kapllanaj dhe trajnerin Beqiri që kanë besuar tek unë. Tani dua që të lë gjurmë në Superiore”, deklaroi sulmuesi shkodran, i cili ka të dhëna shumë premtuese dhe pret të debutojë tashmë në elitë. Aktualisht në Ballsh vijojnë me pushimet, ndërsa pritet të përcaktohet së shpejti data e startit të stërvitjes.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"