Kërkon ta rikthejë sërish në Itali, Milani piketon sulmuesin spanjoll
Sulmuesi i Atletiko Madridit, Alvaro Morata është vënë në shënjestrën e Milanit. Spanjollit i skadon kontrata me “Los Colchoneros” në vitin 2024 dhe kuqezinjtë janë të gatshëm për ta sjell sërish në Itali, pas eksperiencës së tij me Juventusin.
Milani e konsideron Moratan një sulmues të nivelit të lartë dhe për më tepër, e kaluara e konfirmon. Alvaro nuk është një golashënues serial, por ai di si të gjendet kur ka rëndësi. Për gati një dekadë, ai ka shënuar të paktën 10 gola ndërmjet ligës dhe kupave. Sulmuesi do të ishte shumë i dobishëm për ekipin e Piolit, sepse ai di të luajë vetëm ose me një sulmues tjetër dhe e njeh kampionatin italian.
Një vit para përfundimit të kontratës, Atletiko nuk mund të kërkojë më shumë se 15-20 milionë për kartonin e tij. Një shifër jo e papërfillshme për buxhetin e Milanit, por e reduktuar nëse kemi parasysh cilësinë dhe përvojën e Alvaros.
PANORAMASPORT.AL
