“Kemi ende punë për të bërë”, Brdariç: E vështirë t’i bindësh të huajt të vijnë në Shkodër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2020 | 18:55

“Kemi ende punë për të bërë”, Brdariç: E vështirë t’i bindësh të huajt të vijnë në Shkodër

Vllaznia po vuan për të shënuar, ndaj edhe Tomas Brdariç nuk heq dorë nga merkatoja. Ai pret edhe dy sulmues, që skuadra e tij të jetë gati për të përballuar sezonin 2020-2021. Gjatë intervistës së dhënë direkt pas miqësores me Erzenin, ai konstatoi problemin me vijën e parë dhe nuk ngurroi që të rrëfente vështirësitë që po hasin për të bindur lojtarët e huaj që të vijnë në Shkodër.
tomas-brdaric-trajneri-vllaznia

Një tjetër miqësore e fituar, por a ju bindi paraqitja?
Jemi në fazë përgatitore dhe duhet thënë se ekipi ka ende për të bërë. Duke u ndalur te loja, më duhet të them se kishim disa gabime të vogla. E megjithatë, në kompleks jemi mirë dhe në rrugën e duhur.

Do të ketë afrime të tjera?
Jemi sërish në merkato, pasi kemi nevojë për përforcime. Nisur nga kjo periudhë pandemie edhe afrimet janë të vështira. Ne do të bëjmë ndryshime, ndonëse jemi të varur nga situata.

Kjo Vllazni mund të pretendojë Kupat e Europës?
Çdo ekip kërkon që në fund të sezonit të jetë në Kupat e Europës, por duhet gjithçka ta shikojmë takim pas takimi. E rëndësishme është që të rritemi, pasi për objektiva është herët që të flasim tani.

Gati një formacion me afrime, jeni i kënaqur me merkaton?
Çdo lojtar që është afruar, ka ardhur pas një vendimi të përbashkët. I kemi studiuar vlerat e secilit para se t’i merrnim. E rëndësishme është që ato të kenë progres dhe të mund të aktivizohen sa më tepër në këtë sezon. Ne po punojmë dhe kërkojmë që të marrim më të mirën prej tyre.

Da Silva, Kasius dhe Zogoviç vijnë në Shkodër pas aktivizimeve të pakta. Si e shikoni këtë?
Është shumë e vështirë që të sjellësh lojtarë në Shkodër. Nuk e kemi pasur aspak të lehtë për t’i bindur. Na është dashur që të negociojmë gjatë që t’i sjellim në Shqipëri. Pretendimet e tyre financiare janë larg asaj që ne keni mundësi të ofrojmë. Por ne do të mundohemi deri në fund për të bërë afrimet që i duhen Vllazninë dhe t’i bindim që po punojmë për një Vllazni të re për sezonin e ri dhe jo si ajo që shkoi.
vllaznia
Sa lojtarë po kërkoni tani?
Po kërkojmë për “9”-sha. Na duhet jo një, por dy lojtarë në këtë pozicion. Ju e shikoni që po vuajmë edhe në këto miqësore për të shënuar. Pra nuk na duhen dy sulmues. Nevojat janë urgjente, por situata nuk duket shumë e favorshme për ne. Gjithsesi, po presim dhe shpresojmë që të kolaudojmë në këtë periudhë të mbetur.

Pasi keni ndjekur skuadrat shqiptare në Kupat e Europës, mendoni se Vllaznia do të ketë mundësi që t’i përballojë ato? Normalisht që do të jenë ballafaqime shumë të vështira, por futbolli dhe ne jemi për t’i marrë përsipër këto sfida. Duke besuar në rritjen e skuadrës, ne do të jemi të gatshëm edhe për t’i përballuar skuadrat në fjalë.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL


NDIQE LIVE "PANORAMA TV"