“Kemi deficite, në të tria repartet duhet të ndërhyjmë”, Bubeqi futet në stres: Mendjen, tek afrimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 29, 2021 | 19:40

“Kemi deficite, në të tria repartet duhet të ndërhyjmë”, Bubeqi futet në stres: Mendjen, tek afrimet

Largimet e gjashtë titullarëve e kanë futur në stres Dorjan Bubeqin. Futbollistë cilësorë dhe me përvojë, si Canka, Çela e Hoxhaj, vështirë të gjenden në këtë periudhë dhe trajneri është tepër i shqetësuar. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai zbulon se ka vetëm një kusht për merkaton e janari.

bubeqi besa

“Nuk ka nevojë të vlerësoj unë Cankën, Çelën apo Hoxhajn, pasi dihen CV e tyre. Largimi mbetet një marrëdhënie mes presidentit Bizhdili, ndaj mua më mbetet vetëm t’i respektoj. Në anën tjetër të medaljes, jam unë që marr përgjegjësitë e ekipit, ndaj më shumë se kujtdo më interesojnë afrime cilësore.

Nuk kam ndonjë emër konkret, të jem i hapur me ju, por nuk është hera e parë që presidenti Bizhdili surprizon me afrimet. Vjet ai rindërtoi thuajse ekipin nga e para në janar dhe besoj se edhe këto ditë ai po negocion. Nuk është nevoja të përcaktoj postet në të cilat më duhen lojtarët, pasi përjashto sulmin disi me Hoxhën e Meçjen në të tria repartet na duhen afrime.

Prapavija është bërë reparti më deficitar, nga i cili janë larguar 3 lojtarë. Ndoshta nuk afrohen kokë më kokë në cilësi si Çela apo Hoxhaj, por shpresoj të jenë lojtarë me sedër e që të sakrifikojnë.

Kampionati pritet të jetë edhe më i vështirë në fazën e fundit dhe vërtet ndoshta Superiorja në këto kushte mbetet utopi, por mbetet në nderin e fanellës sonë që të vijojmë të prezantohemi me dinjitet deri në fund”.

Besa ka ndërprerë seancat stërvitore e rikthimi pritet të jetë 4 janari. Java e parë e tij do të jetë një javë “sulmi” për sa i përket merkatos. Mbetet vetëm të zbulohen emrat e parë që do të afrohen.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"