Lushnja në krye, s’i ndahet Tërbuni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2012 | 15:00

Lushnja në krye, s’i ndahet Tërbuni

Java e 12-të e Kategorisë së Parë mbartte në vetvete sfida interesante. Kryesuesit e Lushnjës kanë luajtur në Kavajë, për shkak se fusha e tyre do t’i nënshtrohet rikonstruksionit. Vendimi i fundit të Komitetit Ekzekutiv, që akordoi 50 mijë euro për tapetin e “Roza Haxiut”, i ka përshpejtuar punimet në këtë impiant, ndaj Lushnja e Banos është deyruar të gjente një “strehë”. E ka pritur Himarën në stadiumin “Besa”, jo shumë larg qytetit të saj, cka s’i ka penguar tifozët e shumtë të jenë të pranishëm. Ata kanë shijuar shumë shpejt golat e skuadrës së zemrës, teksa Canka zhbllokon shifrat në minutën e 7-të, ndërsa nuk ka vonuar shumë që Canka të dyfishojë shifrat. Në të dyja rastet ka gabime të pafalshme të mbrojtjes mike, e cila nuk koordinohet dot si duhet me portierin Bifsha, duke u mundësuar sulmuesve lushnjarë të konkludojnë me lehtësi. Shpëtimtar bëhet portieri Spaho, në minutën e 36-të, teksa frenon nga pika e penalltisë Skënderajn e Himarës, duke e mbajtur në fuqi epërsinë 2-0 të momentit. Ky rezultat nuk ka ndryshuar as në pjesën e dytë, kur të besuarit e Banos mendojnë të mbrojnë epërsinë e dyfishtë, pa shpenzuar shumë energji, ndërsa miqtë s’kanë forcë për të reaguar, duke u pajtuar në heshtje me disfatën e radhës në kampionat.
Mamurrasi i vendit të dytë duhej të superonte transfertën e Sarandës, për t’u ballafaquar me vendësit, një pengesë shumë e vështirë, me qëllimin për të ruajtur pozitat në klasifikim. Të besuarit e Sinan Bardhit ia kanë dalë mbanë në objektivin për të mos pësuar, por kanë vuajtur në anën tjetër të medaljes, për të shënuar. Në një situatë të tillë janë përfshirë edhe vendësit, që kanë dominuar lojën dhe kanë krijuar raste të volitshme, por në fund të fundit barazimi i bardhë ka mbetur në fuqi.
Besëlidhja priti në shtëpi Kamzën, në përpjekje të ethshme për t’i rrëmbyer tri pikët. Pavarësisht këmbënguljes së gjatë e të pafundme të lezhjanëve, goli nuk ka dalë dot në dritë. Janë mbrojtur me fanatizëm të besuarit e Shahin Berberit, që arrijnë të dalin me një pikë të cmuar nga kjo transfertë delikate.
Blutë e Dinamos ishin mysafirë në stadiumin e rikonstruktuar të Burrelit. Para ndeshjes në Burrel është zhvilluar ceremonia e tapetit të ri të “Liri Ballabanit”. Shiriti përurues është prerë nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, që kishte udhëtuar drejt Burrelit bashkë me zëvendësin e vet, Bujar Kasmi, dhe sekretarin e përgjithshëm, Ilir Shulku. E pranishme edhe kryebashkiakja Delina Farrici, deputeti i zonës Qemal Minxhozi dhe drejtues të tjerë lokalë. Shumë shikues të pranishëm, tepër të etur për ta parë skuadrën e tyre në shtëpi, pas disa javësh “migrim”. Lojtarët e të dyja skuadrave kanë luftuar fort për t’i rrëmbyer fitoren njëri-tjetrit, por portat respektive kanë mbetur të paarritshme deri në minutën e 84-t, kur Pjetrani ka ekzekutuar mjeshtërisht një goditje dënimi, duke e përfunduar në trekëndëshin e kuadratit dinamovit, duke mposhtur pas disa pritjeve të bukura Lamellarin. Ky moment ka përcaktuar edhe fatin e këtij 90-minutëshi, ky suksesi i ka buzëqeshur formacionit të Plorit, i cili vijon ngjitjen në klasifikim.
Elbasani i luhatjeve të shumta, që pësoi turpërim në ndeshjen pararendëse, i mundur 5-0 nga Iliria, do të kishte punë me liqenorët. Këta të fundit janë dëshmuar kompetitivë në transferta deri më tani, ndërsa verdheblutë dinë të fitojnë vetëm në fushën e tyre. Dy të kundërta, që e bënin sfidën në fjalë tejet interesante. Njëlloj derbi mes fqinjësh, ku liqenorët kanë shënuar të parët, me mbrojtësin Bufasi, që në pjesën e parë. Kur pritej që vendësit të reagonin, kjo gjë ka munguar, ose ka qenë krejt e paqartë, ndërkohë që miqtë nuk zhbilancohen në fazën difensive. Përmes kundërsulmit, Pogradeci arrin ta ndëshkojë sërish, për herë të dytë, me anë të Shytit, duke e bërë të parikuperueshme situatën për të besuarit e Files. Goli i nderit i Tafanit, i ardhur më shumë në mënyrë të rastësishme e sporadike në minutën e 77-të, nuk vlen shumë karshi filozofisë mjaft efikase taktike të miqve, që dalin me tri pikë nga “Ruzhdi Bizhuta”. Verdheblutë pësojnë humbjen e parë në kampionat në fushën e tyre. Tjetër humbje radhazi, pas turpërimit 5-0 të një jave më parë, ndaj Ilirisë, cka tregon se ky Elbasan ka vetëm emrin.
Entuziazëm i madh në qytetin e vogël verior, ku mbi 3 mijë tifozë kanë mbështetur fuqishëm skuadrën e tyre të zemrës. Tërbuni ka pritur në shtëpi një tjetër skuadër pretendente në këtë kampionat, sikurse është dëshmuar deri më tani Iliria. Fushë-krujasit vinin pas fitores së hellë 5-0 ndaj verdhebluve, cka i kishte bërë disi euforikë, por pukjanët i kanë ulur me këmbë në tokë shumë shpjt, me dy golat e realizuar njëri pas tjetrit, që në 20 minutat e para. Fillimisht kapiteni Pepa me kokë, pastaj goleadori Kulli nga penalltia, kanë vënë në shina të sigurta suksesin e radhës të Tërbunit që në pjesën e parë, ndërkohë që në të dytën ka konkluduar edhe mesfushori Rroca për 3-0, duke gjunjëzuar pa kushte formacionin e Fatmir Salës. Pukjanët vijojnë kësisoji ecurinë e rezultateve positive, duke mbetur rivalët kryesorë të Lushnjës për kreun, për momentin.
Gramshi kishte udhëtuar drejt Velipojës, në një ballafqim të dëshpëruarish, që s’po e gjejnë veten në këtë kampionat dhe që luftojnë për t’iu larguar zonës së ftohtë të klasifikimit. Pas një këmbënguljeje të gjatë të vendësve, në minutën e 59-të ka arritur të finalizojë sulmuesi i spikatur Puka me kokë. Goli i pestë sezonal për lojtarin në fjalë, që rreshtohet kësisoji krahas golashënuesve të tjerë më të mirë të kësaj kategorie për momentin. Dy minuta më pas velipojakët fitojnë një penallti, që kthehet në golin e sigurisë nga Nika. Tripletën e kompleton Erkocevic, i asistuar bukur nga Puka, ndërsa konkretizohet epërsia e thellë e të besuarve të Ridvan Kullit, që kanë qenë zotër të fushës, në cdo dejtim.

Të kuqtë, që shpëtuan lëkurën në minutën e 97-të me Himarën, në mesjavë, duke marrë atë barazim tepër të vuajtur, s’e kanë luksin për ta nënvlerësuar Naftëtarin. Ata kanë edhe dy ditë kohë më tepër në dispizicion për t’i karikuar bateritë, sepse do ta luajnë të hënën sfidën e tyre të radhës. Pavarësisht se kucovarët janë në fund në renditje, lojërat e tyre kanë qenë të mira. Kjo i ka munguar Partizanit, i cili vijon të shpresojë te rikthimi në Superiore, me pozita afër kreut për momentin.

Kategoria e Parë, java e 12-të
17.11.2012
Besëlidhja – Kamza   0-0
Gjyqtarë: K,Cjapi, N.Rrapo, E.Malo

Lushnja – Himara   2-0
Golat: Canka 7′, Galica 15′
Gjyqtarë: A.Beqiri, D.Rexha, E.Deraj

Ada – Gramshi   3-0
Golat: Puka 59′, Nika 62′ (pen), Erkocevic 65′
Gjyqtarë: S.Bogdani, F.Elezi, F.Lamaj

Butrinti – Mamurrasi   0-0
Gjyqtarë: K.Meta, D.Myftari, B.Berijolli

Elbasani – Pogradeci  1-2
Golat: Tafani 77′ / Bufasi 19′, Shyti 62′
Gjyqtarë: B.Breshani, A.Shkreta, A.Nase

Tërbuni – Iliria   3-0
Golat: Pepa 15′, Kulli 17′ (pen), Rroca 62′
Gjyqtarë: O.Sokoli, E.Bicaku, E.Zhuli

Burreli – Dinamo  1-0
Golat: Pjetrani 84′
Gjyqtarë: S.Cekaj, Sh.Ziri, E.Cuni

19.11.2012
Partizani – Naftëtari  1-1
Golat: Sulce 46′ /   Rustemi 7

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"