Kategoria e Dytë/ Trajneri i Luftëtarit, Dalipi: Kemi kohë për Turbinën, presim disa rikthime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2024 | 16:24

Kategoria e Dytë/ Trajneri i Luftëtarit, Dalipi: Kemi kohë për Turbinën, presim disa rikthime

Trajneri i Luftëtarit vlerëson lojën e skuadrës në fitoren 3-0 kundër Devollit që morën të dielën në stadiumin “Gjirokastra”. Në pronononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, tekniku Edmond Dalipi u shpreh: “U përballëm me një kundërshtar te etur për fitore si Devolli.

dalipi luftetari

Ia dolëm dhe e fituam ndeshjen, falë lojës që shpalosëm në fushë. E vumë kundërshtarin në vështirësi që në start. Goli spektakolar i Hudsonit ndryshoi moralin e ekipit. Para golit patëm disa mundësi shënimi, por nuk ia dolëm. E mbyllëm pjesën e parë me avantazhin e dy golave, që nuk ishin të rastësishëm, por rrjedhojë e lojës logjike që ekipi interpretoi në fushë”.

Kalendari rezervon pushim për Luftëtarin  në javën e 15-të, kështu që ekipi ka më shumë kohë për të përgatitur trasfertën me Turbinën. “Kemi kohën e mjaftueshme në dispozicion për të qenë të kompletuar me Turbinën. Pritet të na kthehen nga dëmtimi dy-tre lojtarë. Njëherazi shpresojmë t’u falet dënimi dy lojtarëve kryesorë, Gabës dhe Souzës.

Për këtë do të bëjmë kërkesë për faljen e dënimit në Komisionin e Disiplinës. Një trajner kur kthen kokën pas dhe shikon stolin plot, di si të ndërtojë formacionin”, u shpreh trajneri i Luftëtarit, që kryeson me meritë Grupin B.

TOMOR SHEHU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"