Kategoria e Dytë duket realitet, Besëlidhja kalon krizën me 15 minuta… analizë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2021 | 19:57

Kategoria e Dytë duket realitet, Besëlidhja kalon krizën me 15 minuta… analizë

Besëlidhja nuk po gjen dot shpëtim, zhytet edhe më keq në fund. Në “Roza Haxhiu” pësuan humbjen e pestë sezonale, duke e blinduar në vendin e 16-të të renditjes së përgjithshme. Vetëm një pikë e marrë deri më tani, u jep pak shpresa për mbijetesë lezhjanëve. U trumbetua me të madhe që do të tentonin ngjitjen në elitë, por duket se as rënien direkte nuk do të mund ta shmangim dot.

bruka

Kategoria e Dytë duket në horizont, ndonëse matematika i mban ende në lojë. Pritej që të trazoheshin “ujërat”, por as këtë herë asgjë nuk ndodhi. Alban Bruka nuk lëviz dhe kjo u kuptua dje, kur zbarkoi në fushë për të nisur javën anti-Vorë. Pas pushimit të së dielës, kanë startuar edhe përgatitjet për një tjetër ndeshje.

ANALIZA – Para nisjes së seancës, skuadra iu nënshtrua analizës së zakonshme. U duk sikur u zhvillua për të kaluar radhën në fakt, pasi zgjati shumë pak. Vetëm 15 minuta diskutuan për atë që shkoi dhe nuk shkoi e më pas nisën direkt nga puna. Nëse rëndom i kalojnë 30 minutat, këtë herë i ranë shkurt. Stafi teknik evidentoi shkaqet që çuan në humbjen e thellë përballë Lushnjës. U ndëshkuan tri herë, pa mundur që të ngushëllonin veten me një gol nderi. Sipas tij, “Fatura” për këtë disfatë i është lënë prapavijës dhe fatit, pasi repartet e tjera deri diku e kryen detyrën. E rrezikuan disa herë portën kundërshtare, madje kanë goditur edhe traun.

KTHESA – Në Lezhë kanë marrë përgjegjësinë e humbjes së radhës dhe besojnë se do të gjejnë kthesën përballë Vorës. Nëse nuk ia dalin as këtë të shtunë, atëherë të gjitha shanset e mbijetesës do të shuheshin dhe sezoni mund të quhej i dështuar pa nisur ende mirë. Pozitat janë tronditur që tani dhe dukshëm ndihet mungesa e eksperiencës në organikë. Nuk përjashtohet mundësia që me hapjen e merkatos të dimrit, të ndryshohet edhe filozofia. E donin me forcë një Besëlidhje “bio”, por me të rinjtë vështirë se shpëtojnë.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"