“Katastrofë ajo që ndodhi”, ish-sulmuesi Arben Shehu: Turp që Luftëtari pati këtë fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2020 | 23:21

“Katastrofë ajo që ndodhi”, ish-sulmuesi Arben Shehu: Turp që Luftëtari pati këtë fund

Në Gjirokastër akoma nuk e pranojnë dot që Luftëtari është përjashtuar dhe në janar do të garojë në Kategorinë e Tretë. Edhe pse ka nisur ndërtimi i skuadrës së re, nën logon “Akademia e Futbollit Luftëtari”, të shumtë janë ata që mendojnë se situata nuk duhet të shkonte në këtë pikë. Në të njëjtën linjë është edhe Arben Shehu, ish-golashënuesi i bluzinjve. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” e quan një katastrofë atë që ngjau.

Luftetari-i-sezoni-94-95-768x576-1

“Katastrofë për Luftëtarin. Edhe unë si ‘ish’ do paguaja nga xhepi, vetëm që Luftëtari të mos kishte një fund të tillë. Turp për një qytet si Gjirokastra, qyteti i kulturës, civilizimit dhe sportit. Njerëzit e futbollit, veçanërisht ata të biznesit, duhet t’i dilnin në krahë skuadrës para se të mbërrinte në këtë pikë. Luftëtari ka një emër, është një emblemë. Nuk është Memaliaj, Tepelena, Këlcyra, Delvina apo Saranda. Përkundrazi, është simboli i futbollit të Jugut, është ekipi që ka bërë histori në futbollin shqiptar. S’mund të hidhen poshtë me një “të rënë të lapsit’ emrat legjendarë si Sefedin Braho, Astrit Boni, Dhori Kalluci, Luan Seiti, Ruzhdi Lamaj, Met Çumaku, Dhimitraq Shoni, Lefter Millo, Mustafa Hysi, Kristaq Ciko e shumë e shumë të tjerë (të më falin ata që s’ua përmenda emrat)”, tha fillimisht ish-bomberi i gjirokastriteve.

E ARDHMJA – Shehu ndalet edhe tek e ardhmja, ndërsa beson se Mustafa Hysi do ta ringrejë skuadrën. “Më vjen mirë që profesori dhe miku im Mustafa Hysi mori përsipër rikompozimin e Luftëtarit. Është njeri me vlera, ka reputacion në Gjirokastër. I ka dhënë shumë Luftëtarit si lojtar dhe trajner. E ka vizionin e duhur për të rimëkëmbur Luftëtarin, gjithnjë me ndihmën dhe mbështetjen e mbarë aktorëve dhe faktorëve sportivë të Gjirokastrës. ‘Trimi i mirë me shokë shumë’, thotë një shprehje e popullit. Ndaj, Hysi ka nevojë për përkrahje dhe mbështetje nga miqtë, shokët, kolegët e tij, për vetë misionin që ka marrë mbi supe”, vijoi autori i 21 golave në sezonin 1994-1995.

AKADEMIA – Në mbyllje bën edhe një apel për Hysin: “Ai e ka ngritur Luftëtarin nga asgjëja para shumë e shumë vitesh dhe jo më në kushtet e sotme. Lojtarët e shpërndarë si ‘zogjtë e korbit’ i kanë cilësitë dhe atributet e duhura për të ringritur Luftëtarin. Unë besoj te Hysi dhe të gjithë faktorët sportivë të Gjirokastrës. Në të ardhmen e afërt, Luftëtari do të zërë vendin që i takon, atë në elitën e futbollit shqiptar”.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"