Kastrioti “zgjohet” në merkato, gjen akordin me lojtarin e Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2019 | 11:14

Kastrioti “zgjohet” në merkato, gjen akordin me lojtarin e Laçit

Pas një jave të mbushur me miqësore, te Kastrioti e kishin të qartë që në disa pika duheshin patjetër përforcime. Të gjendur përballë një situate jo fort të mirë, ku u humbën dy miqësore radhazi, drejtuesit kanë nisur menjëherë lëvizjet për të afruar disa lojtarë që mund t’u bëjnë punë sezonin e ardhshëm.

kastrioti

“Panorama Sport” ka mësuar në mënyrë ekskluzive se krutanët kanë arritur akord me tre lojtarë të Superiores dhe nga sot pritet t’i bashkohen skuadrës në stërvitje. Gazeta ka mundur të sigurojë vetëm emrin e Taulant Sefgjinit, lojtari që e ka mbyllur sezonin e fundit me Laçin, ndërsa për dy lojtarët e tjerë, për arsye edhe të kontratave aktive me skuadrat ku ata kanë dokumentacionin, kanë kërkuar që për dy-tri ditë të mos u publikohet emri.

sefgjini

SEFGJINI

Sefgjini është një lojtar me shumë eksperiencë, teksa në Superiore me Laçin numëron më shumë se 200 ndeshje. Ai ka luajtur me Laçin edhe në Kategorinë e Parë, ndërkohë që në të shkuarën ka qenë edhe pjesë e Teutës (sezoni 2010-2011). Një kampionat me “djemtë e detit” dhe mbrojtësi i majtë u rikthye te Laçi. Nga kurbinasit është larguar edhe në verën e vitit 2016, kur për gjashtë muaj mbrojti ngjyrat e Erzenit dhe në janar iu përgjigj pozitivisht ftesës së Laçit. 33-vjeçari njihet mirë edhe nga trajneri i Kastriotit, Ramadan Ndreu. Eksperienca e Sefgjinit shihet e rëndësishme dhe në Krujë po e presin krahëhapur.

NIGERIANËT

Për të parë Henri Okebugun dhe Lukman Husein sërish te Kastrioti, duhet pritur edhe disa ditë të tjera, pasi vizat e të dy lojtarëve nuk kanë dalë në kohë dhe kjo ka bërë që udhëtimi drejt Shqipërisë të shtyhet për një datë tjetër. Të dy futbollistët e kishin për të mbërritur në Shqipëri dje, por nuk ka ndodhur kështu. Si Okebugu, ashtu dhe Husein, janë pjesë e rëndësishme e skuadrës, pasi në sezonin e shkuar në Superiore janë aktivizuar titullarë.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"