Kastrioti nuk njeh rivalë, Çutra: Formula e kampionatit është e padrejtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2017 | 11:46

Kastrioti nuk njeh rivalë, Çutra: Formula e kampionatit është e padrejtë

Kastrioti është pa dyshim skuadra më e mirë e Grupit A, fakt të cilin e tregoi me fitoren e së dielës në Kavajë përballë rivalit direkt Besës. Me një eurogol të Xhynejt Çutrës, krutanët morën tri pikë me mjaft vlera, të cilat i dhanë mundësi skuadrës së Samuel Nikajt që të arrijë në kuotën e 20 pikëve në 8 javë kampionat, me një diferencë prej gjashtë pikësh me vendin e dytë.

Cutra

Deri më tani, krutanët kanë arritur 6 fitore dhe dy barazime duke u bërë skuadra e vetme në grup që ende nuk ka pësuar humbje. Autori i golit të vetëm në sfidën ndaj Besës, Xhynejt Çutra, në një intervistë për gazetën flet për gjithçka. “E kemi thënë dhe herë të tjera që kjo formulë është e padrejtë, pasi nuk i përshtatet ekipit që është në vendin e parë. Gjithsesi, ne do t’ia bëjmë hyzmetin deri në fund”, thotë ndër të tjera Çutra.

Fituat përballë një rivali direkt, për më tepër në transfertë. Si ndiheni pas këtij suksesi në Kavajë?

Të them të drejtën kishim shkuar në Kavajë për të marrë një rezultat pozitiv, që për ne ishte vetëm fitorja. E arritëm dhe me këtë u treguam të gjithëve se Kastrioti e meriton Superioren.

Shënuat një eurogol, mësuam se kishit një dedikim special?

Po ia dedikoj babait, i cili është idhulli im. Dje(të dielën) ai kishte dhe ditëlindjen dhe ky gol është dedikim vetëm për atë.

Një test i vështirë i kaluar me sukses dhe tashmë rruga duket më e lirë për të arritur objektivin?

Nuk duhet të kënaqemi me pak, pasi kampionati është i gjatë dhe formula është e tillë që do të na bëjë neve të përballemi sërish me skuadrat pretendente.

Pamë shumë shpërdorime, që në të ardhmen mund të kushtojnë?

Është e vërtetë që shpërdoruam shumë, por administruam rezultatin dhe më e rëndësishme për ne ishte fitorja, të cilën ua dedikoj të gjithë tifozëve të Kastriotit dhe në veçanti atyre që na mbështetën në atë transfertë.

Duket se Besa mbeti prapa me pikë, ju kë shikoni si rivalin kryesor?

Edhe ne aty-aty jemi, pasi formula është e atillë, që në fazën e tretë përgjysmohen pikët dhe aty do ta kemi përsëri, si Besën, por edhe skuadrat e tjera.

Ju duket një formulë e padrejtë pasi tani ju jeni shkëputur gjashtë pikë, ndërkohë që me përgjysmimin e pikëve ju penalizoheni më shumë?

E kemi thënë dhe herë të tjera që kjo formulë është e padrejtë, pasi nuk i përshtatet ekipit që është në vendin e parë. Gjithsesi, ne do t’ia bëjmë hyzmetin deri në fund, ku do vazhdojmë rrugën e fitoreve.

LIRIDON PASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"