Kastrioti konfirmon dy mesfushorë të huaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2012 | 13:43

Kastrioti konfirmon dy mesfushorë të huaj

Burime në klubin krutan treguan dje për “Panorama Sport” se është mbyllur tratativa me dy mesfushorët që deri tani ishin në periudhë prove te Kastrioti. Bëhet fjalë për boshnjakun Dragan Vuçiç dhe serbin Nemanja Laziç. Këta janë të vetmit lojtarë të huaj që krutanët kanë të konfirmuar deri në këtë moment. Ndërkohë, sezonin e kaluar kishin gjashtë të tillë. Në këtë mënyrë, krutanët blindojnë mesfushën dhe mund ta konsiderojnë të kompletuar këtë repart. Tani mbetet që në këto ditë të mendojnë dhe të vendosin vetëm për repartin sulmues, duke zgjedhur midis alternativave që kanë në provë. Por, në klubin e Kastriotit janë të sigurt se gjithçka do të përfundojë përpara të premtes, kur me arritjen e grupit në Tiranë, skuadra me listën e lojtarëve të plotësuar do të fillojë konkretisht përgatitjen e ndeshjes së parë të sezonit me Apoloninë. Në të njëjtën kohë, lajme të mira vijnë edhe nga infermieria e skuadrës krutane. Sulmuesi Ardit Shehaj, i cili kishte zhvilluar stërvitje të diferencuar, dje i është bashkuar grupit dhe mendohet që të jetë në dispozicion të trajnerit Artan Mërgjyshi, në ndeshjen e parë të kampionatit. Kastrioti po bën tashmë planin e javës së fundit. Deri të premten, kur mendohet se do të jetë dita e fundit që krutanët do të jenë në Pogradec, ekipi do të zhvillojë dy ndeshje miqësore, të mërkurën me Gramshin e më pas të premten në Peqin ndaj Shkumbinit vendës. Drejtuesit krutanë shprehen të kënaqur, qoftë me progresin e bërë nga skuadra gjatë kësaj periudhe, por edhe me rezultatet në ndeshjet miqësore.
Murat Aruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"