Kastrioti i gjymtuar, Çela është në hall me mbrojtjen kundër Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2023 | 11:09

Kastrioti i gjymtuar, Çela është në hall me mbrojtjen kundër Vllaznisë

Kastrioti luan sot në orën 14:00 kundër Vllaznisë në stadiumin “Elbasan Arena” shansin e fundit për të shpresuar te një mrekulli sa i përket mbijetesës në Superiore. kd f

Skuadra krutane po vuan shumë së fundmi mungesat në thuajse çdo takim për shkak kartonësh dhe dëmtimesh. Trajneri Emiljano Çela konfirmoi për “Panorama Sport” se përveç mbrojtësve Adolf Selmani dhe Eneid Kodra, si dhe mesfushorit Abaz Karakaçi, të cilët janë të pezulluar, mungesë e sigurt është edhe sulmuesi i krahut, Redon Mihana. Ky i fundit është dëmtuar dhe pritet të mos jetë i gatshëm ndaj Vllaznisë. Nga ana tjetër, rikthehen nga pezullimet mbrojtësi i majtë, Armando Rami, si dhe sulmuesi Bedri Greca, të cilët do të jenë pjesë e formacionit.

Problemi më i madh për trajnerin Çela në prag të këtij takimi është reparti i mbrojtjes, aty ku alternativat janë të pakta dhe kësisoj ai është i detyruar të improvizojë. Në qendër të mbrojtjes, e vetmja alternativë është Millosh Stojanoviç, ndërsa gjasat më të mëdha janë që “partneri” i tij sot të jetë Onanuga. Sa i përket krahut të djathtë të prapavijës, gjasat janë të aktivizohet Zogaj ose Arapi, të cilët janë lojtarë më shumë me tipare ofensive. Në stërvitjen e fundit, Çela ka provuar disa variante, por problemi më i madh është pikërisht mbrojtja. Sa i përket mesfushës dhe sulmit, aty alternativat janë më të shumta dhe trajneri mund të bëjë rrotacion. Stafi pret që sulmi të jetë më efikas.

SHKËLQIM HASANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"